Sanksionet

Kosova hyn në muajin e 11-të të sanksioneve të BE-së: Brukseli s`i dëgjon kërkesat e Qeverisë, Osmani ankohet te ShBA-ja

Republika e Kosovës ka hyrë në muajin e njëmbëdhjetë të sanksioneve nga Bashkimi Evropian. Thirrjet e liderëve institucionalë të Kosovës për heqjen e masave ndëshkuese nuk po dëgjohen nga vendet anëtare të BE-së. Deri me tani askush nuk e di se kur do të largohen këto masa që po i kushtojnë Kosovës me miliona euro.

Gjatë javës, kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarët tjerë qeveritar kërkuan heqjen e masave ndëshkuese nga BE-ja, duke thënë se janë përmbushur të gjitha kushtet. Këto kërkesa u injoruan pasi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë masa largohen kur të vendosin vendet e BE-së e jo kur duan liderët institucionalë të BE.

Kur BE-ja vendosi masat ndaj Kosovës për situatën me krizën permanente dhe vendimet e njëanshme në eskalimin e situatës mes Kosovës-Serbi, BE-ja njoftoi se ato janë të kthyeshme, ato do të largohen. Qëllimi është se kur shtetet anëtare të vendosin, KUR SHTETET ANËTARE TË VENDOSIN, jo politikanë të Kosovës, që nuk ka më arsye për t’i mbajtur ato.”, ka deklaruar Stano.

Ai ka treguar se BE-ja është në diskutime, por megjithatë, masat nuk janë larguar ende dhe vazhdojnë të mbesin në fuqi.

Kjo nuk ka ndodhur ende, BE-ja është në diskutime, kemi parë zgjedhjet në veri si një prej elementeve, por ende u takon shteteve anëtare në një linjë me konkluzat e Këshillit nga dhjetori i vtit të kaluar, u takon shteteve anëtare ta rishikojnë situatën dhe të vendosin nëse po ose jo. Mund të konfirmoj se diskutimet po vazhdojmë, por masat s’janë hequr ende.”, është shprehur ai.

Këto qëndrime të Stanos kanë ardhur si reagim ndaj kërkesës se kryeministrit Kurti për të hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Në mbledhjen e VI-të të Këshillit Ministror për Integrim Evropian (KMIE), Kurti ka vlerësuar se masat kundër Kosovës, bien kundër me përpjekjet për integrim më të përshpejtuar në BE.

Sipas tij, Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesa për heqjen e këtyre masave.

Masa që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE sidomos edhe në planin e rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialog të reformave të BE-së. Në këtë kontekst kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen.”, ka thënë Kurti.

Për sanksionet, gjatë javës, ka folur edhe presidentja Osmani.

Në takimi që ka pasur me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, , ajo është ankuar për këtë çështje.

Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për procesin e votimit në katër komunat veriore, me ç’rast Presidentja Osmani ripotencoi se vazhdimi i masave është i padrejtë dhe se Kosova i ka plotësuar kushtet që përfundimisht të largohen ato”, është thënë në komunikatën e Presidencës, e cila është lëshuar pas takimit.

Kryeziu dhe Kusari-Lila qortojnë Stanon

Ndaj deklarimeve të zëdhënësit të BE-së ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili është munduar të ofroi fakte për plotësimin e kushteve.

Rasti është shumë i thjeshtë. Bashkimi Evropian i ka vendosur masa Kosovës sepse e ka fajësuar atë, padrejtësisht, për eskalimin e situatës që shihet në foton e parë (maj 2023). Ndërkaq, në foton e dytë, mund të shihet Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, pranë të njëjtës ndërtesë duke lëvizur i papenguar (prill 2024). Është e qartë që deeskalimi ka ndodhur. Prandaj është po aq e qartë që masat ndaj Kosovës duhet të hiqen”, ka shkruar Kryeziu.

Edhe më e ashpër ka qenë shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Në një intervistë për emisionin “Pressing” në T7, ajo ka thënë se Stano nuk ka kredibilitet të flas për këtë çështje.

Nuk ka aspak kredibilitet. Po është zëdhënës i BE’së, por si mundet me iu referu veprimeve ose kërkesave legjitime jo veç të kryeministrit, por në këtë kërkesë [pajtohet] krejt spektri politik në Kosovë. Me aq sa po dëgjoj, nëse e thonë të njëjtën edhe në takime, e thonë edhe partitë opozitare, i kërkojnë BE-së heqjen e masave. A ka eskalim të situatës në veri? Nuk ka. Të njëjtat veprime të cilat janë vendos masat, për hyrjen e kryetarëve në veri, rrjedhimisht provokimin siç e kanë quajtur ata dhe eskalimin e situatës, sot i ki dy kryetarët e një partie tjetër që kanë shku në zyret e tyre se në atë kohë thonin ‘jo nuk shkojmë se punojmë prej këtu derisa të zgjidhen disa cështje’. U përmbyll kjo pjesë, nuk ka prezencë të tillë të njësive speciale, as të KFOR’it aty. Çka tjetër duhet të bëjë Kosova?”, është shprehur ajo.

Opozita mendon se fajtor për këto sanksione është Qeveria Kurti.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thënë se këto sanksione i kanë kushtuar Kosovës miliona euro.

Kosova është në muajin e njëmbëdhjetë të sanksioneve ndërkombëtare falë Qeverisë së Vetëvendosjes, më saktë koalicionit VV-Guxo. Për herë të parë në historinë e Republikës sonë. Njëvjetori i sanksioneve që i kanë kushtuar Kosovës qindra milionë euro në projekte të bllokuara të BE-së vjen shpejt. Kosova e sanksionuar #KREJTdheDREJT!”, ka shkruar Hamiti në profilin e tij në “Facebook”.

Republika e Kosovës është nën masa ndëshkuese të BE-së prej qershorit të vitit të kaluar. Këto masa ishin vendosur pasi Qeveria e Kosovës kishte vendosur dërgimin e katër kryetarëve të veriut me asistencë policore në objektet komunale. Këto veprime kishin nxitur reagime dhe protesta të serbëve lokalë, ku ishin lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it dhe policë të Kosovës.