Ilir Peci, kryetari i komunës së Zveçanit, dy javë më parë është kthyer për herë të parë në zyrën e tij në objektin komunal, duke ia mundësuar vetes dhe drejtorëve të kësaj komune të operojnë dhe funksionojnë normalisht nga ky vend, pasi që më parë detyrën e kryetarit e ushtronte nga fshati Kelmend.
Në një intervistë për Ballkani.info ai ka folur edhe për gjendjen e objektit të Komunës së Zveçanit pas hyrjes në të. “Deri pas vitit të ri kanë qëndruar Policia e Kosovës dhe KFOR’i, në momentin që janë larguar KFOR’i, ne kemi ardhur për të vizituar dhe parë objektin. E kemi gjetur të ndytë dhe pastrimi ka vazhdar 10 ditë, por ende nuk është në gjendje e duhur”, ka thënë ai.
Në zyrën e kryetarit të Komunës së Zveçanit, gjenden edhe tri fotografi të vendosura në mure – fotoja e presidentes Osmani, ish-presidentit Hashim Thaçi dhe Heroit Kombëtar, Isa Boletinit.
“Vitin e kaluar, më 25 maj, kam ardhur për herë të parë këtu dhe në momentin që kam hyrë në zyrën time, kanë qenë disa fotografi. Në vendin që sot është fotografia e ish-presidenti Thaçi ka qenë e vendosur fotografia e presidentit rus, Vladimir Putin, kurse në vendin e fotografisë së presidentes Osmani ka qenë fotografia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. atë ditë i kemi larguar ato fotografi, e dy javë me parë i kemi vendosur këto tri fotografi”, ka thënë Peci.
Se a do të kandidoj si kryetar në zgjedhjet e ardhshme, kryetari Peci, ka deklaruar se është ende herët të flitet.
“Besoj që po, por ende është herët”, ka deklaruat kryetari Peci.
Theksojmë se, pas tensioneve që u krijuan në veri dhe protestave të organizuara nga serbët, të cilët nuk i lejonin që funksionet t’i ushtronin nga objektet komunale, dy kryetarët e dy komunave në veri, Zveçanit dhe Zubin Potokut, i ishin përgjigjur thirrjes së ndërkombëtarëve që detyrat t’i ushtrojnë nga zyrat alternative. /Ballkani.info/







