Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se është e vështirë të bëhet një debat i sinqertë për buxhetin, kur buxheti i vitit 2027 premton kryesisht paga më të larta, shtesa për fëmijë e ndihmë.

Abdixhiku në seancën e Kuvendit ka thënë se është i vetëdijshëm se njerëzit presin çdo ndihmë shtesë dhe se në rrethanat e tanishme kjo është shpresa e vetme e tyre. Ai ka thënë se këto ndihma janë edhe burimi i problemeve të qytetarëve.

“Ndiej domosdoshmërinë të them të vërtetën dhe kur nuk na pëlqen e nuk është popullore. Dua të flasë për qytetarët e Kosovës me të vërtetën e vetme edhe nëse nuk u pëlqen. Kjo e vërtetë thotë qartë se me shtet social, me ndihma, pa investime, s’kemi për të pasur kurrë jetë të mirë në Kosovë. Do të vazhdojmë të mbesim të fundit në Evropë në ekonomi, shëndetësi, arsim, teknologji, e me standard të jetesë. Vitet kalojnë, e do të na rriten çmimet e do të kemi nevojë më tepër për ndihma. E ato ndihma do të vazhdojnë të rrisin çmimet, sepse këtë punë dijnë me bë, ta rrisin konsumin”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se LDK-ja ka synim që të rritet koeficienti për paga në 150 euro, por edhe ka synime shumëfishë më të mëdha për investime kapitale. Ai ka thënë se mund të bëhen dyja edhe ndihma edhe investime.

Ka thënë se duhen të ndërtohen kapacitete të reja për prodhim të energjisë, e duhet të ndërtohen rrugë. Ka thënë se duhet të ketë mësim tërëditor në gjithë Kosovën dhe duhen investime në sektorin e teknologjisë.

“Me këtë trend do të duhen 80 vjet për ta arritur mesataren e Bashkimit Evropian”, tha Abdixhiku.

Ai ka thënë se Kosova, duke u mbështetur në ligj, mund të gjenerojë deri 3 miliardë euro kredi jashtëzakonisht të buta duke e rritur borxhin publik e me to të investojë. Po ashtu ka thënë se 3 miliardë euro nga Fondi Pensional janë investuar në vende tjera, e mund të investohen në Kosovë.

“Po ngecim në cikël që na mban në të njëjtin vend”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se buxheti 4.27 miliardë euro i vitit 2027 është 7 për qind më i madh se buxheti i vitit 2026, por aq thotë se ka qenë edhe inflacioni.

“Vlera e këtyre 4.3 miliardë euro si fuqi blerëse është e njëjtë me 4 miliardë euro të vitit të kaluar”, tha ai.

Abdixhiku ka thënë se rritja ekonomike është e pamjaftueshme, dhe se duhet të ketë 7-8 për qind rritje vjetore ekonomike.

“Me ndihma e pa investime nuk bëhet ekonomi”, tha ai.