Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka kritikuar projektbuxhetin për vitin 2027, duke thënë se rritja e buxhetit të shtetit nuk po reflektohet në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Gjatë fjalimit të tij në Kuvend, Lushtaku deklaroi se, pavarësisht rritjes së buxhetit, qytetarët vazhdojnë të përballen me paga të pamjaftueshme, çmime të larta të produkteve ushqimore dhe fatura të shtrenjta të energjisë elektrike.

“Sot kemi përpara projektbuxhetin për vitin 2027 në vlerë prej rreth 4 miliardë e 270 milionë eurosh. Qeveria e paraqet këtë shumë si dëshmi të suksesit ekonomik, por pyetja është a po rritet mirëqenia e qytetarëve po aq sa po rritet edhe buxheti i shtetit, sepse qytetari nuk jeton me miliarda në letër, por me pagën, pensionin, çmimin e ushqimeve me çmimin e faturat e larta të energjisë elektrike”, tha Lushtaku.

Duke iu drejtuar kryeministrit Albin Kurti, Lushtaku kërkoi llogaridhënie për premtimet e dhëna ndër vite, duke përmendur ndërtimin e 160 çerdheve, 4 mijë banesave për familjet e reja, modernizimin e hekurudhave dhe përfundimin e projekteve infrastrukturore.

Ai theksoi se, pas disa vitesh në qeverisje, qytetarët presin rezultate konkrete dhe jo përsëritje të premtimeve.

“Sot nuk është koha të kërkoni besimin për premtimet tuaja. Sot është koha të jepni llogari edhe për rezultatet që nuk i kanë marrë qytetarët e vendit”, deklaroi Lushtaku.

Duke iu referuar të dhënave të Institutit GAP, ai tha se gjatë viteve 2021-2024 investimet kapitale të realizuara kanë qenë rreth një miliard euro më të ulëta sesa planifikimet e Qeverisë.

Ai përmendi si shembuj Unazën e Prishtinës, projekt me vlerë prej 61 milionë eurosh, për të cilin në planifikimin e vitit 2027 janë paraparë vetëm një milion euro, si dhe Rrugën e Dukagjinit, me vlerë prej 31 milionë eurosh, për të cilën është planifikuar e njëjta shumë.

Sipas tij, investimet në infrastrukturë nuk duhet të shihen vetëm si projekte ndërtimore, por si mundësi për tërheqjen e investimeve, uljen e kostove të transportit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai tutje ka thënë se nuk janë kundër ndihmave ndaj familjeve në nevojë, shtesave për fëmijë apo pensionistë, por sipas tij, ndihma sociale nuk mund të zëvendësojë zhvillimin ekonomik.

“Një politikë e mirë sociale ndihmon qytetarin në vështirësi, një politikë e mirë ekonomike ndihmon që të mos mbetet vazhdimisht i varur nga ndihma dhe pikërisht këtu qëndron problemi jonë me këtë projektbuxhet”, është shprehur ai.