Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se importet janë rritur në Kosovë, pasi sipas tij është rritur edhe fuqia blerëse.
“Është zgjeruar klasa e mesme në Kosovë. Ky zgjerim vjen nga disa faktorë, një nga ta është rritja e pagave, po ashtu rritja e punësimit, rritja e pensioneve, shtesat për nëna e fëmijë”, ka thënë Kurti në seancën e Kuvendit ku po debatohet për buxhetin.
Ai ka thënë se është trefishuar paga minimale e po ashtu është rritur paga në sektorin publik, por thotë se do të kishte dëshirë që pagat në sektorin privatë të ishin rritur më tepër.
“Prej janarit deri tetor, trefishë më tepër ka qenë shpejtësia e rritjes së eksporteve se importeve. E vërtetë se fatura e importit po vjen duke u rritur, por shumë më shpejt po rritet eksporti”, tha Kurti.
Sa i përket Brezovicës, ai ka thënë se deri para tre vjetëve ishte e pamundur të investohej, pasi e kontrollonte Ineksi i Beogradit.
Por, thotë se tash nuk është kjo pengesë dhe janë krijuar kushtet e vërteta.
Për investimet e huaja direkte Kurti ka thënë se janë dyfishuar në Kosovë, por thotë se problem është struktura ku po investohet.
“Edhe mëtutje investohet në patundshmëri, banesa e tokë. Por, tokë që jo doemos punohet.
E për migrim si brenda Kosovës ashtu edhe jashtë vendit, ai i ka cekur dy shkaqe kryesore: cilësinë e arsimit dhe drejtësinë.
Ai ka thënë se qytetarët detyrohet të migrojnë nga zonat rurale, për shkak të cilësisë së dobët të arsimit dhe migrojnë brenda vendit apo edhe jashtë.
“Mund t’i rregullojmë të gjithë, industrinë, mbrojtjen, sigurinë, investimet, kulturë, sport. Por, sfidë e madhe mbetet arsimi. Në arsim duhet të mbjellësh sivjet e dy vjetët në vijim, që me korr pas 10 -15 vjetëve. Është shumë e ngadalshme, duhet stabilitet i madh. E ka sfida që i ka edhe bota”, tha Kurti.
Ai tha se do të kishte dëshirë që centralizohej puna e arsimit, por prej propozimit të Ahtisaarit, arsimi u takon komunave. Ai tha se u bë shkaku i 10 komunave me shumicë serbe.
Po ashtu ka thënë se problemi tjetër është drejtësia, ku shumë qytetarë janë të pakënaqur.
“Duhet të rregullojmë drejtësinë e arsimin. Jam optimist për krejt tjerat, por për këto dyjat jam optimist i përmbajtur. Është sfida jonë në vitet në vijim”, tha Kurti.
Kurti, duke iu referuar një analize, ka thënë se komunat me shumicë serbe nga viti 2008 e tutje kanë marrë 50 për qind më tepër buxhet sesa mesatarja e buxhetit të komunave të Kosovës.
Ai ka thënë se tash “disa që po humbin privilegjet po u duket padrejtësi”.
“Fakti që i ke humbur ato është drejtësi...Askush nuk ka dëshirë të paguajë energjinë elektrike. Kur veriu fillon ta paguajë, duket padrejtësi diqysh pasi je mësuar 20 vjet mos me pagu. Humbja e privilegjeve përjetësohet si padrejtësi”, tha Kurti.






