Ilir Peci

Kryetari i Zveçanit flet nga objekti i komunës: Osmani as që me ka kontaktuar, Kurti s’erdhi fare në vizitë

Pas një viti që nga zgjedhja e tij si kryetar i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, para dy javësh është kthyer në zyrën e tij në objektin komunal të kësaj komune. Deri para pak ditësh, Peci e kryente funksionin e kryetarit të Zveçanit nga fshati Kelmend.

Peci bashkë me drejtorët e 12 Drejtorive dy javë më parë mbajtën mbledhjen e parë në këtë objekt komunal, ku sipas tij ua ka lehtësuar funksionimi edhe zyrtarëve komunalë, por edhe i qytetarëve që t’i marrin shërbimet komunale.

Në intervistën e dhënë për Ballkani.info, kryetari Peci ka deklaruar se në objektin që e kanë pasur në fshatin Kelmend nuk kanë pasur hapësirë të mjaftueshëm që të kryhen funksionet komunale.

“Ka qenë e vështirë, duke u nisur nga hapësira e atij objekti, pasi që gradualisht është rritur numri i zyrtarëve dhe drejtorëve, mirëpo që dy javë këtu kemi hapësirë të mjaftueshme. Stafi dhe drejtorët e kanë pasur të vështirë, por tek qytetarë nuk kemi hasur ndonjë problem. Me ardhjen këtu është më lehtë të punohet. Përafërsisht i kemi rreth 100 qytetarë brenda ditës që i kryejnë punët e tyre”, ka thënë Peci.

Ai ka thënë se nga 12 drejtorit që janë në Komunën e Zveçanit, njëra nga to udhëhiqet nga një serbe e cila është në Drejtorin për Shëndetësi. Po ashtu, në këtë komunë edhe nënkryetarja për komunitete i përket nacionalitetit serb.

“Kemi marrë vendimet të shumta. Kemi bërë riparimin e rrugëve, ambulantave, e disa punë të tjera. Që nga vitit që e lamë pas e deri më tani kemi përmbushur 90 për qind të kërkesave”.

Ai ka deklaruar se as presidentja Vjosa Osmani dhe as kryeministri Albin Kurti nuk e kanë vizituar deri më tash, përveç ministrit të Administrimit dhe Pushteti Lokal, Elbert Krasniqi.

“Shumë të pakta kanë qenë vizitat. Përmes e-mail-eve komunikojmë, vizita kemi vetëm nga ministri Krasniqi dhe zëvendësministri Arbër Vokrri, me tjerë ministra kemi shumë pak kontakte, vetëm përmes e-mail’eve zyrtare. Nga Ministria e Administrimit dhe Pushteti Lokal kemi përkrahje, të tjerat ministri nuk na kanë përkrahur edhe pse kemi bërë kërkesa”, ka deklaruar ai.

I pyetur se a pret që të vizitohet nga Kurti dhe Osmani, Peci ka deklaruar se nëse do të ketë ndonjë takim me ta, të merret më seriozisht çështja e katër komunave veriore.

“Besoj që do të vij në takim Kurti, me presidenten Osmani asnjëherë nuk kemi pasur komunikim. Kishim pas dëshirë të kemi ndonjë takim me presidenten Osmani, mirëpo ende nuk ka ndodhur ajo”, ka shtuar Peci.

Ai ka folur edhe për gjendjen e objektit të Komunës së Zveçanit pas hyrjes në të. “Deri pas vitit të ri kanë qëndruar Policia e Kosovës dhe KFOR’i, në momentin që janë larguar KFOR’i, ne kemi ardhur për të vizituar dhe parë objektin. E kemi gjetur të ndytë dhe pastrimi ka vazhdar 10 ditë, por ende nuk është në gjendje e duhur”, ka thënë ai.

Në zyrën e kryetarit të Komunës së Zveçanit, gjenden edhe tri fotografi të vendosura në mure – fotoja e presidentes Osmani, ish-presidentit Hashim Thaçi dhe Heroit Kombëtar, Isa Boletinit.

“Vitin e kaluar, më 25 maj, kam ardhur për herë të parë këtu dhe në momentin që kam hyrë në zyrën time, kanë qenë disa fotografi. Në vendin që sot është fotografia e ish-presidenti Thaçi ka qenë e vendosur fotografia e presidentit rus, Vladimir Putin, kurse në vendin e fotografisë së presidentes Osmani ka qenë fotografia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. atë ditë i kemi larguar ato fotografi, e dy javë me parë i kemi vendosur këto tri fotografi”, ka thënë Peci. /Ballkani.info/

Ndiqeni në vazhdim intervistën e plotë të kryetarit të Zveçanit, Ilir Peci