Drini i Bardhë

Prokuroria sekuestron mjetet me të cilat ilegalisht po nxirrej zhavorr përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë

Prokuroria Themelore në Gjakovë njofton se janë sekuestruar mjete me të cilat po nxirrej ilegalisht zhavorri në shtratin e lumit Drini i Bardhë.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se pas një inspektimi të kryer nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është konstatuar se në disa fshatra të Komunës së Rahovecit, është duke u degraduar ambienti për shkak të aktivitetit ilegal të nxjerrjes së zhavorrit përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Prokurori koordinator për hetimin e Krimeve Kundër Mjedisit, z. Kastriot Memaj, ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338 i KPRK-së. Po ashtu, është urdhëruar sekuestrimi i një kamioni transportues dhe një ekskavatori si mjete të përdorura në kryerjen e veprës penale”, thuhet në njoftim.

Njëkohësisht, bëhet e ditur se në koordinim me Policinë, janë duke u ndërmarrë veprime aktive në drejtim të kapjes së kryerësve të kësaj vepre penale. /BetimipërDrejtësi