Dedikimi prekës i deputetit të VV-së një vit pas ndarjes nga jeta të mbesës

Deputeti i Vetëvendosjes Dimal Basha ka postuar një dedikim prekës për mbesën që u nda nga jeta para një viti. Sëmundja e rëndë ia mori jetën Elitës, vajzës së motrës së Bashës.

Postimi i plotë i Dimal Bashës:

Ese mbi jetën dhe vdekjen

Sot bëhet një vit prej kur i ka mbyll sytë Elita, vajza e vetme e motrës, të cilën kanceri në tru e shoi për rrafsh 11 muaj. E sot po marr mundin me I shkru disa rreshta për jetën para, gjatë, dhe pas vdekjes.

Në jetën para vdekjes Elita ka qenë një fëmijë i lumtur, një vajzë me plot jetë e dashni, dhe qendra e universit të motrës Dafinës, e cila e kishte Elitën fëmiun e saj të vetëm dhe krejt qenien e saj e kishte të dedikuar për të. Elita megjithatë nuk silllej e llastuar, por vazhdonte me mësimet e saja dhe që në parashkollorë u pranua në shkollën për fëmijë të talentuar, ku cdo vit dilte me nota shembullore dhe në listen e drejtorit si nxënëse e dallluar. Fëmijë me energji të jashtëzakonshme, dhe vraponte gjithë kohën e lire për të gjet shokë e shoqe. Ishte e dashur për të gjithë.

Mirëpo gjithcka u praptua kur kuptuam diagnostifikimin. Lajmin për diagnostifikim e kishim marrë në para gati 2 viteve. Sa ishim kthy prej Tiranës me mamin dhe u shtrimë me pushu, cingrroi telefoni. Në anën tjetër të oqeanit, motra Dafina, “Elita tha ka kancer në tru.” Nuk arrita me kuptu nga shokimi, dhe e pyeta pra, “qysh?” “Elita” tha “është diagnostifiku me kancer në tru.” Të njejtën ditë fluturuam për Neë York, dhe prej asaj dite filloi jeta me vdekjen.

Nuk e di që ka dhimtë ma t’madhe se me shti n’dhe një fëmijë 9 vjeq. Por cka e ka dyfishu dhimtën në familja ka qenë diagnostifikimi i saj me kancer që nuk kishte shërim. Sa herë që kërkonim e lexonim, gjasat për shpëtim ishin 0%, dhe afati me jetu pas diagnostifikimit thoshte që është përafërsisht 11 muaj.

Kjo formë e të jetuarit e shumëfishonte dhimbjen, sepse e kishim një fëmijë si drita, që vdiste për cdo ditë ngapak, dhe komplet familja e shihnim duke na rrëshqitur para duarve dhe ishim të pafuqishëm me ndryshu gjendjen e saj. Elita edhe vet e kuptonte. E dinte saktë, sepse edhe mua më thoshte, “Daja, kam kërku në Youtube për sëmundjen,” që linte me kuptu që e di, por prap me një fije shpresë e shumë kurajo, sepse gjatë terapive më pat thënë se me siguri gjindet një shërim sepse nuk e lë mamin vet.

Jeta e Elitës për 11 muaj ka qenë ballafaqim me tmerrin. Të gjithë në ankth, herë herë me shpresë, po të shumtën e herave të thyer. Ka pas një moment shprese kur gjendja e saj filloi të përmirësohej pas terapisë së parë, por sic edhe thoshte secili studim e dëshmonte secili rast tjetër, kjo ishte vetëm një heshtje e sëmundjes para se të kthehej si stuhi në trurin e saj, ku gjendja e saj pritej të keqësohej. Dhe ashtu ndodhi, jeta e Elitës u shemb, dhe gjithcka u keqësua. Ajo vet filloi të rëndohej, levizte shumë vështire, dhe vdiste brenda saj, derisa komplet familja vdisnim bashkë me të. Derisa arriti momenti kur ajo nuk arriste as të fliste, dhe për cdo komunikim vetëm i rridhte loti. Pra cka na vriste të gjithëve për së gjalli ishte fakti që nuk kishte dhimbje, dhe dinte gjithcka, por vetëm nuk arrinte të komunikonte. Për here të pare u ballafaqonim me një fëmijë duke jetu e vdekur. Ne vdisnim duke jetu, ajo jetonte duke vdekur. Unë e kuptoj aksidentin kur një tren e vret dikë edhe për një moment vdes dhe rrotullohet gjithcka, që është tragjedi, por me Elitën kemi qenë bashkë nën shinat e trenit për 11 muaj duke e pa tu vdek, e të njejtën kohë ajo duke e përjetuar në pamundësi me ndryshu dicka. Derisa për një moment një arrest kardiak e mbyll nga mizeria dhe Elita i mbyll sytë përjetësisht.

Për me kuptu sa e ka ditur Elita, është fakti se kishte kërkuar që arkivolin ta mbushnim me kukullat e saj të preferuara, që njiheshin si “LOL Dolls.” Dhe sigurisht se motra ia plotësoi edhe dëshirën e fundit. E veshi si engjujt në filma, me një rreth të bardhe rreth flokëve, me këpucë të bardha, dhe me një fustan të bardhë si shpirti i saj i bardhë. Sikur të ishte skript filmi, ajo do duhej të ngritej në qiell si engjull, por ne qëndruam para saj derisa të gjithë familjarët u përshëndetëm me të dhe pastaj na erdh radha që të përshëndetemi për here të fundit. Sa e përqafonim, asnjëri nuk kishim guxim ta mbyllnim arkivolin, asnjëri nuk donim me pranu që ishte përqafimi jonë i fundit me Elitën, derisa punëtori aty na ndihmoi dhe të gjithë për një moment në heshtje e me lot në sy e mbyllëm Elitën në arkivol, ku mbeti vetëm në shoqërimin e kukullave.

Te varrezat kemi qenë vetëm familja e ngushtë. Trupin e saj të njomë e lëshuam në tokë, derisa nuk mbaj mend shumë detaje, përveq se e di që kam mbajt një fjalim të shkurt për jetën e saj, Aty ishte fundi i Elitës ku të gjithë për një moment ia kthyem shpinën, dhe e futëm nën dhe trupin e saj të njomë të shoqëruar vetëm me kukullat e saj. E në këtë process, derisa po flas për dhimbjen tone si familje, vetëm po du me shtu dy fjalë për motrën Dafinën, e cila ka qenë afër Elitës secilin sekond e minutë gjatë gjithë rrugëtimit të saj, dhe pas krejt kësaj maratone akopaliptike, ajo vazhdon me na ngushëllu neve me forcën e saj dhe është shembulli i një njeriu të përkryer.

Unë gjatë gjithë jetë kam qenë kurioz me vdekjen. Edhe në fakultet kam pas marrë një lëndë zgjedhore që trajtonte vdekjen dhe se si shoqëritë ballafaqohen me të, por pastaj kam lexu edhe shumë për religjionet dhe besimet e ndryshme gjithandej nëpër botë. Mirëpo deri në vdekjen e Elitës, kjo ka qenë vetëm studim në letër, kurse pas Elitës ka qenë përjetim që nuk ia dëshiroj as hasmit. Shumë ma kanë thane që, “mos ta nin, se me kohën kalon,” mirëpo ju premtoj se nuk po kalojke. Ish sikur me jetu me migrenë, ku jeton gjithmonë me dhimtë, vetëm se mësohesh si me menaxhu, mirëpo dhimbja nuk hjeket kurrë.

Për fund, shumë njerëz gjejnë paqë e nugshellim tek besimet e ndryshme, dicka që e respektoj. Mirëpo unë pas krejt leximeve dhe përvojës me Elitën vazhdoj me mbet agnostik, ku vazhdoj me qenë shumë skeptik se ka një superfuqi që organizon dhe kujdeset për jetën tone derisa cdo dite kemi fëmijë që vdesin nga kanceri cdo ditë. E respektoj bindjen e tjerëve që e ngushëllojnë veten se do ti takojnë të dashurit e tyre pas vdekjes, mirëpo unë vazhdoj të mbetem agnostik. Kjo nuk është sulm ndaj një feje apo tjetre, sepse sikur tjerët, edhe unë nuk dua më shumë se të ketë një parajsë që të takohem prapë me Elitën, vetëm se problem me bind veten se dicka e tillë ekziston dhe na pret. Prandaj shumë më pyesin se ku gjej ngushëllim e paqe në këto raste, dhe unë ju them se ngushëllimin tim për Elitën e gjej te kujtimet e saja të shumta, por gjithashtu ngushëllohem nga mundësia jonë që në këtë botë të punojmë dhe veprojmë për një mirëqenie më të mire se që e kemi gjetur, përfshi këtu kontributin tonë për shërimin e kancerit të fëmijëve.

Të dua Elita!