Presidentja e Kosovës

Osmani takon disa ambasadorë evropianë, iu flet për nevojën e heqjes së masave ndaj Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorë të disa shteteve evropiane, shefin e EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano dhe ambasadorin e BE-së, Thomas Szunyog.

Gjatë takimit me ambasadorë, Osmani ka diskutuar koordinimin e agjendës ndërkombëtare si dhe bashkërendimin me politikat e BE-së por edhe me shtetet e tjera aleate për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

“Presidentja Osmani theksoi se Kosova vazhdon të jetë plotësisht e linjëzuar me politikat e BE-së në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme, përfshirë miratimin e sanksioneve ndaj Rusisë si dhe shteteve apo grupeve të tjera të cilat rrezikojnë sigurinë dhe paqen globale”.

“Tutje, Presidentja Osmani diskutoi edhe për nevojën e heqjes së masave ndaj Kosovës, të cilat më së shumti po godasin mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, pa dallim, duke potencuar se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Ndërsa, bëhet e ditur se ambasadorët prezent e kanë njoftuar Osmanin me përgatitjet që po bëhen për Samitin e Paqes për Ukrainën që do të mbahet në Zvicër.