Ushtruesja e detyrë së kryetares së PDK’së, Vlora Çitaku, ka thënë se Ligji për Specialen do të jetë në Kuvend në javën e ardhshme dhe ka dhënë garancë se do të bëhen ndryshimet e duhura.

Ajo ka thënë se me kryeministrin Albin Kurti janë pajtuar për përmbajtjen dhe ndryshimet që duhen bërë, por se kanë pasur dallime tek rruga që duhet ndjekur për miratimin e Ligjit.

“Projektligji do të ketë bazë tekstin që është miratuar në dy leximet në Kuvend. Mbi atë tekst, do të bëjmë ndryshimet e nevojshme për ta bërë ligjin më të qëndrueshëm juridikisht, për t’iu dhënë çlirimtarëve mbështetje konkrete shtetërore. Me z. Kurti jemi pajtuar për përmbajtjen e ligjit dhe ndryshimet që duhet bërë. Dallimet kanë qenë tek procedura parlamentare. Pastaj u pajtuam për rrugën ligjore që do të ndjekin”, ka thënë ajo.

Deputetja e PDK’së ka thënë se u kërkon falje në emër të bashkëpartiakëve të gjithë atyre që janë shqetësuar për mënyrën se si është menaxhuar përpjekja për ta ndryshuar Ligjin për Specialen.

“Dua t’iu drejtohem atyre që e kanë ndjekur këtë proces me shqetësim. I pranoj kritikat për mënyrën se si kemi ecur deri sot. Iu kërkoj ndjesë në emër të bashkëprtiakëve të mi, që për shkak të vonesave e paqartësive u shqetësuan që kjo nismë mund të mbetej përgjysmë.Sot iu jap zotimin tim, që këtë proces do ta çojmë deri në fund. Grupi punues shtetëror do vazhdojë punën me strategjinë për Apel”, ka thënë tutje ajo.

“Uniteti i partive rreth kësaj çështje ka peshë historike. Tani duhet ta dëshmojmë bashkë në Kuvend dhe në përkrahje konkrete të çlirimtarëve në Hagë. Këtë ua kemi borgj atyre dhe familjeve të tyre. Këtë ia kemi borgj historisë së Kosovës.”, ka shtuar deputetja Çitaku.

Ajo ka thënë se në momentin e fundit, kanë pranuar sugjerime nga ekspertë ndërkombëtarë e vendor, të cilët synojnë që ta bëjnë ligjin më të qëndrueshëm juridikisht.

“Kjo nismë që filloi si nismë e PDK’së është nismë shtetërore. Kjo ka qenë thirrja që na është bërë në sheshe. Kjo është tanimë nismë shtetërore. Ne kemi besuar se edhe ligji i kaluar ka qenë i rëndësishëm dhe i dobishëm. Mirëpo siç e kam thënë, në momentet e fundit, kemi pranuar disa sugjerime konkrete nga ekspertë vendorë e ndërkomëbtarë, që me qëllim të mirë kanë synuar ta përkrahin këtë projekt, në mënyrë që ta bëjnë më të qëndrueshëm juridikisht”

“Tashmë s’është vetëm ligj i PDK’së dhe kjo mua më gëzon shumë. Ligji që miratohet në Kuvend dhe që ka zotimin e Qeverisë për zbatim, nuk mbetet vetëm një copë letër e miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Përveç ligjit, ne jemi dakorduar me z. Kurti edhe për një varg hapash që do t’i ndërmarrim. Çdo gjë do të bëhet me plan dhe në mënyrë të sekuencuar. Ky s’është vetëm ligj i PDK’së, është ligj i institucioneve të Kosovës “, është shprehur Çitaku.

“Ligji i ri që do të vijë javën tjetër në Kuvend, do të jetë produkt i një pune të përbashkët. Ekspertët tashmë janë koordinuar dhe janë në fazën finale të përgatitjes së tekstit që javën tjetër vjen për miratim. Ky s’është ligj për një parti, për një cikël zgjedhor. Ky ligj ka vetëm një qëllim, që t’iu dalë në mbështetje çlirimtarëve tanë”, ka sqaruar ajo.

“Ekipet e mbrojtjes e kanë punën e tyre për t’u përgatitur për Apel. Përqendrimi i tyre është aty. As ne, as kryeministri nuk ka pritur duartrokitje nga BE për këtë, por është vendim sovran i Kosovës dhe e ftojmë BE-në në këtë fazë të re të angazhohet në konsultime”, ka shtuar tutje./