Në këto komuna mërgimtarët mund t’i parkojnë veturat falas

Pas ardhjes së mërgimtarëve disa komuna të Kosovës kanë marrë vendimin që atyre t’u lejohet parkimi i automjeteve brenda oborrit të komunës.

Suhareka, Podujeva dhe Malisheva janë komunat që deri më tani kanë marrë një vendim të tillë.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj ka njoftuar se institucionet komunale do të jenë në shërbim të mërgimtarëve me të gjitha kapacitetet.

Po ashtu ai ka thënë se përveç parkingut falas, në funksion të mërgimtarëve do të jenë edhe e-kiosqet për shërbime online siç janë nxjerrja e dokumenteve për të cilat kanë nevojë ata

Këtë vendim e ka marrë edhe Shpejtim Bulliqi në Podujevë. Ai ka thënë se komuna e tij do ta lejojë parkimin e automjeteve të bashkatdhetarëve në parkingun brenda oborrit të Komunës (gjatë 24 orëve), gjatë qëndrimit të tyre për pushime dimërore në Kosovë.
Ndërsa në emër të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nënkryetari Hajdin Berisha ka urdhëruar Drejtorinë e Administratës, që duke filluar nga 21 dhjetori 2020, e deri më 21 janar 20121, parkingu në oborrin e komunës të jetë vetëm në shërbim të mërgimtarëve.

Me këtë urdhëresë ndalohet parkimi i veturave nga zyrtarët komunal apo veturat tjera private.

Malishevë, parkingu i Komunës vihet në shërbim të mërgimtarëve
Këto vendime në disa komuna tashmë janë bërë si traditë që bashkatdhetarëve t’u mundësohet një pushim sa më i mirë.