Tiranë

“Çdo ngjyrë një familje”, LGBTQ+ mban paradë në Tiranë

Me moton “Çdo ngjyrë një familje”, është mbajtur sot në Tiranë parada e komunitetit LGBTQ+.

Ndonëse në kushte jo të favorshme për shkak të shiut, pjesëtarët e këtij komuniteti marshuan përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit, për të kërkuar të drejta të barabarta me pjesën tjetër të shoqërisë, shkruan tvklan.al.

Në mbështetje të LGBTQ+ ishin edhe ambasadori i Britanisë në Tiranë, si dhe ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.

“Çdo njeri duhet të jetë në gjendje të dashurojë këdo që dëshiron. Ne jemi këtu që të tregojmë mbështetjen për njerëzit që dashurojnë ndryshe. Shqipëria  është një vend fantastik dhe mikpritës, por gjithashtu duhet të jetë tolerant dhe pranues, në mënyrë që të gjithë, përfshirë edhe turistët e huaj, të jenë vetvetja”, tha Alastair King Smith, ambasador i Britanisë në Tiranë.

“Ne duam ta bëjmë Shqipërinë më të hapur, me inovative, me gjithëpërfshirëse. Të pranojmë që, edhe pse jemi të ndryshëm, mund të jetojmë në harmoni. Kjo është dhe moto e BE: “Të Bashkuar në Diversitet”, u shpreh Silvio Gonzato, ambasador i Bashkimit Evropian në Tiranë.

Disa ditë më parë në Tiranë, dy vajza lesbike kurorëzuan jo zyrtarisht martesën e tyre, e para e këtij lloji në Shqipëri.