Ali Ahmeti ka shpërthyer në kritika të ashpra ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për deklaratën e këtij të fundit se gjuha shqipe nuk ka qenë kurrë gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Ahmeti është shprehur thellësisht i lënduar nga kjo deklaratë, duke akuzuar Kurtin se ka dalë në krah të kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski.
Sipas tij, deklarata e Kurtit nuk e ka lënduar vetëm atë personalisht, por edhe mijëra ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
“Goxha keq kryeministri juaj më ka goditë në shpirt. Po pse më goditi aq shumë në shpirt?”, ka deklaruar Ahmeti.
Për të shpjeguar revoltën e tij, Ahmeti ka kujtuar nënën e dëshmorit Afrim Kalanica, të cilën e kishte parë pranë varrit të të birit në Sllupçan.
Ai ka lidhur sakrificën e të rënëve me deklaratën e Kurtit për statusin e gjuhës shqipe.
“Kur nëna e Afrim Kalanicës m’u kujtua ulë te varri që është tek dëshmorët e Sllupçanit. Afrim Kalani… asnjë nënë që janë vra këtu djem që kanë derdhë gjak, nuk i kanë marrë andej, të gjithë i kanë pranë shokëve të vet, këtu. Dhe lotët i binin te guri i varrit. Për çka u vra Afrim Kalanica? A me dalë kryeministri juaj me thënë që gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare? Turp!”, ka thënë ai.
Ahmeti ka shkuar edhe më tej, duke e akuzuar Kurtin se me deklaratën e tij i ka shërbyer qëndrimit të kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski.
“Del krah Kristijan Mickovskit dhe thotë: gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare. Tri herë kam kërkuar publikisht të prononcohet: a është keq i informuar prej… informacionet dhe informatorët që i ka, apo shqiptarët që i ka? Nuk e ka bërë.”
Ai ka kritikuar Kurtin edhe për mungesën e një sqarimi, pavarësisht kërkesave të tij publike.
Sipas Ahmetit, deklarata e kryeministrit Kurti është shfrytëzuar për një muaj në ekranet televizive në Maqedoninë e Veriut.
“Krah Kristijan Mickovskit dhe del… Një muaj ditë, nuk e kanë hequr nga ekranet televizive: „Ja deklarata e kryeministrit të Kosovës: gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare në Maqedoni.”
Në fund, Ahmeti ka përsëritur se deklarata e Kurtit ka shkaktuar lëndim të thellë te ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
“Kjo më ka vrarë shpirtërisht. Kjo ka vrarë shpirtërisht çdo ushtar të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, edhe pjesëtarët që i ka në Kosovë; mbi tre mijë ushtarë ka UÇK-ja në Kosovë, Ushtria Çlirimtare Kombëtare.”







