Supernjeriu i ekstremeve do të vrapojë 38km në -90◦C, aty ku të ngrijnë rrugët e frymëmarrjes

Pasi vrapoi korrikun e kaluar për plot 75 kilometra në vendin me temperaturat më të larta në planet (Dasht dhe-Lut, në Iran, në të nxehtin e 67◦C), pas pak ditësh do të tentojë të kundërtën: të vrapojë për 38 km mes fshatrave të Ojmjakon dhe Tomtor, në Jacuzia (Siberia Orientale), aty ku nuk ka asgjë tjetër veç akullit, teksa pikërisht në këto zona të banuara regjistrohen temperaturat më të ftohta në botë.

Ai është Paolo Venturini, 50 vjeç, anëtar i trupës së policisë së Italisë, vrapues dhe çiklist në sipërmarrje të pamundura, që mes 17 dhe 22 janarit 2019 do të sfidojë akullin për të grumbulluar të dhëna të dobishme mbi reaksionet humane në kushte ekstreme dhe ku shpreson të dëshmojë se asgjë nuk është e pamundur. Janë këto objektivat që shtyjnë trajnerin e atletikës së Grupit Sportiv të Fiamme Oro të Padova në këtë mision të pagëzuar si “Monster Frozen”, aty ku ajri të ngrin edhe rrugët e frymëmarrjes.

Një ide që lindi teksa vraponte mes shkretëtirës iraniane, njërës prej më të nxehtave në botë, të vrapojë aty ku është e pamundur të qëndrosh me duart pa dorashka për më shumë se 30 sekonda. Një iniciativë siberiane, e parealizuar kurrë më parë, që i ka bërë përshtypje edhe vetë zëvendësministrit të jashtëm rus, që premtoi se do të shkonte aty për të ndjekur gjithçka nga afër.

Paolo Venturini, që prej kohësh pëlqen të luajë me limitet e tij dhe me ato të natyrës, nuk do të jetë i vetëm në këtë aventurë.

Ai do të ndiqet nga një ekip prej 6 personash që do të nisen nga Italia. Për ta mbështetur të përballojë ato 38 kilometra që ndajnë dy fshatrat e banuar, do të jenë dy mjekë të departamentit të mjekësisë sportive të Universitetit të Padovas, një përkthyes, një trupë që do të xhirojë një dokumentar, ekspertë të të ftohtit nga Universiteti i Yakutsk dhe partneria e tij Virtus, për ta asistuar në momentet e tensionit.

“Duhet të tregohem i kujdesshëm për të mos vrapuar shumë shpejt. Sepse shpejtësia e tepërt do të rriste shpejtësinë e erës që përplaset në fytyrë dhe për pasojë ndjesia e të ftohtit të perceptuar: me një ritëm prej 5 minuta për kilometër, temperature e ajrit do të arrinte në -90◦C. Gjëja e parë që u mësoj të rinjve është që sporti, çdo sport, të ndihmon të jesh më mirë, sikurse dhe për të vendosur rregulla”, deklaori vetë Venturini.