Qëndrimi i Angela Merkel, u ka dhënë liri veprimi udhëheqësve autoritarë në Evropë

Vladimir Putin dhe Alexander Lukashenko nuk janë “shpirtra binjakë” natyralë. Presidenti rus sheh tek kolegu e tij autokrat në Bjellorusi një aleat që i duhet.

Ajo që i bashkon të dy liderët është vendosmëria për të qëndruar në pushtet pavarësisht nga kostoja, edhe përmes shtypjes së pamëshirshme të opozitës politike.

Gjithashtu, ata ndajnë të njëjtin perceptim mbi Perëndimin në përgjithësi dhe Evropën në veçanti. Sado që demokracitë perëndimore mund të pretendojnë se janë gardiane të respektimit të rregullave dhe normave ndërkombëtare, ato janë në thelb të lëkundura dhe të dobëta.

Ndonjëherë, shkeljet flagrante të ligjit ndërkombëtar mund ta nxisin BE-në të veprojë. Por nuk ka dyshim se sanksionet janë gjithnjë larg dhimbjes së vërtetë ekonomike që do të ndryshonte analizën kosto-përfitim që bën Kremlini.

Dhe hakmarrjet nuk do të vononin. Nacionalizmi i Putinit e konsideron gjithnjë Rusinë të kërcënuar nga agresioni perëndimor. Dhe sanksionet e Perëndimit përputhen shumë mirë me këtë narrativën. Është kjo lloj përllogaritje ajo që orientoi aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe pushtimin e një pjese të Ukrainës Lindore.

Ajo e inkurajoi Moskën të mbështesë Bashar Al-Assad në Siri, apo në vrasjen e kundërshtarëve të regjimit që jetojnë jashtë dhe arrestimin e Alexei Navalny në Rusi.

Po këto llogaritje e inkurajojnë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet perëndimore dhe sulmet kibernetike të komanduara nga Kremlini.

Edhe Lukashenko supozoi se nuk do të ndëshkohej kur urdhëroi rrëmbimin e një avioni udhëtarësh të linjës “Ryanair”, në mënyrë që të rrëmbente gazetarin disident bjellorus Roman Protasevich. Dhe bazuar në provat e reagimeve të deritanishme të Evropës, ai ndoshta kishte të drejtë.

Përgjigja e Bashkimit Evropian për këtë pirateri flagrante ajrore, ka qenë këshillimi i linjave ajrore që të shmangin fluturimet e tepërta në Bjellorusi, dhe të ndalojnë uljen në aeroportet e vendeve të BE-së të avionëve të linjës ajrore shtetërore bjelloruse “Belavia”.

Edhe figurat kryesore të regjimit mund të përballen gjithashtu me ndalime të udhëtimit dhe ngrirje të aseteve në Perëndim. E papërshtatshme? Sigurisht. Një kërcënim për qëndrimin në pushtet të Lukashenkos? Vështirë të thuhet.

Është e paqartë nëse Putini ka dhënë hapur mbështetjen e tij për veprimin e fundit të autokratit bjellorus. Diplomatët evropianë, thonë se ai ishte thuajse me siguri i informuar paraprakisht. Sido që të jetë e vërteta, sanksionet e BE-së tani do ta mbajnë akoma më fort të rreshtuar Lukashenkon pas kampit rus.

Bashkimit Evropian nuk do ta ketë kurrë të lehtë që të gjejë dakordësinë mbi sanksionet. 27 anëtarët e tij kanë interesa dhe histori të ndryshme. Gjermania, Italia dhe Franca i kushtojnë vëmendje të madhe mundësive ekonomike në marrëdhëniet me Rusinë.

Për Poloninë dhe vendet baltike, siguria është më e rëndësishme nga të gjitha të tjerat. Por edhe kancelarja gjermane Angela Merkel u ka dhënë autokratëve një licencë për të vijuar të qetë me sjelljet e tyre agresive. Pak liderë mund të krahasohen me Merkel në përkushtimin e saj retorik ndaj sistemit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Ambiciet e Putinit janë krejtësisht të kundërta me të sajat. Ai dëshiron një rikthim në sferat e ndikimit të politikës së fuqisë së madhe. Nuk ka asnjë dyshim, që kancelarja gjermane është e sinqertë në bindjen e saj. Gjermania ka përparuar shumë falë multilateralizmit.

Dhe po përparon akoma. Berlini është thuajse gjithmonë zëri më i kujdesshëm kur diskutohet për zbatimin e rregullave. Pjesërisht, kjo mund të ketë lidhje me kohën. Ajo ishte në krye të vendeve që e kundërshtuan SHBA-në kur shkoi në luftë në Afganistan dhe Irak, të cilat nuk është se ishin reklama më e mirë për ndërhyrje të guximshme për të mbështetur rendin ndërkombëtar.

Pastaj është edhe çështje temperamenti. Në përputhje me qëndrimin centrist, Berlini mund të përziejë sjelljen e moderuar dhe luhatjet mbi probleme të ndryshme. Thënë kjo, Merkel e merr seriozisht rolin e saj si një kampione e mbrojtjes së industrisë gjermane. Politika e jashtme duhet të kalibrohet me kujdes, për të shmangur dëmtimin e performancës të jashtëzakonshme të eksporteve të vendit.

Kështu Berlini mori udhëheqjen në arritjen e marrëveshjes së fundit të investimeve BE-Kinë, pavarësisht nga përbuzja në rritje e Pekinit për rregullat ndërkombëtare. Më afër shtëpisë, anëtarja tjetër e BE-së Hungaria, është bërë një qendër kryesore e prodhimit për industrinë gjermane të makinave.

Kryeministri i saj Viktor Orban po marshon vendin drejt autoritarizmit. Merkel ka shërbyer vazhdimisht si një frenuese e veprimeve të BE-së në mbështetje të demokracisë hungareze.

Në rastin e Rusisë, prova për sjelljen e Merkel është gazsjellësi që po ndërtohet nën Detin Baltik për të transportuar gazin rus drejt Gjermanisë.

“Nord Stream 2” është afër përfundimit. Ky gazsjellës pritet që të sabotojë menjëherë politikën e përbashkët energjitike të Bashkimit Evropian, t’i ofrojë një siguri strategjike ekonomike Kremlinin, dhe ta dobësojë Ukrainën.

Anulimi i këtij projekti, do të tregonte qëllimin serioz të Perëndimit për të mbështetur një rend ndërkombëtar të bazuar në ligje. Gjithashtu, ky vendim do t’i shkaktonte kosto të mëdha bizneseve gjermane. Duke shpërfillur lutjet e SHBA-së dhe shumë qeverive evropiane për ta ndalur këtë projekt, Merkel po i vendos një kufi të qartë reagimit të Evropës ndaj sjelljeve të paligjshme të Kremlinit.

Duke e ditur që reagimi i BE-së do të kufizohet nga Berlini,Putini mund të veprojë si të dojë. Sanksionet mund ta pickojnë disi Moskën, por nuk do ta dëmtojnë rëndë atë. Në këtë situatë, Merkel nuk mund të ankohet nëse të tjerët e shohin atë si aleate të autokratëve.