Prodhuesit vendor: Taksa po na fuqizon, mos e largoni

Prodhuesit vendor janë ata që po përfitojnë më së shumti nga taksa e vendosur për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kompanitë vendore që nga periudha e vendosjes së taksës kanë shtuar prodhimin, e në të njëjtën kohë kanë rritur edhe numrin e punëtorëve.Përfaqësues të këtyre kompanive bëjnë thirrje që kryeministri Ramush Haradinaj, të mos heq dorë nga taksa që iu ka vendosur produkteve serbe dhe boshnjake, duke thënë se kështu po fuqizohen prodhuesit vendor.

Kompania “Liri” është një nga prodhuesit më të mëdhenj të ëmbëlsirave në vend, e cila që pas vendosjes së taksës ka punësuar 40 punëtorë, duke e rritur numrin e të punësuarve nga 120 në 160. Menaxheri i kësaj kompanie, Arben Tërshnjaku, për KosovaPress ka treguar se që pas vendosjes së taksës si kompani është dashur të shtojnë prodhimin.

Tërshnjaku thotë se qytetarëve u ofrojnë produkte shumë kualitative dhe se nuk e kanë shfrytëzuar rastin për të rritur çmimet, madje ai thotë se gjatë gjithë këtyre muajve kanë dal me zbritje të ndryshme. Numrin e punëtorëve pas vendosjes së taksës e ka shtuar edhe kompania “Meka” e cila merret me produkte nga mishi i pulës dhe i gjedhit. Pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, ka thënë se kompania që ai drejton ka punësuar 8 punëtorë që pas vendosjes së taksës, duke e dërguar numrin e të punësuarve në 85.

Po ashtu, ai ka treguar se cili produkt që e prodhon kompania “Meka” është ndikuar nga taksa e vendosur për produktet serbe dhe boshnjake. Piraj thotë se ndonëse taksa ka qenë një vendim politik ka sjell të mira tek prodhuesit vendor, e për këtë arsye ai thotë se taksa duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi.
Por, përveç taksës Piraj thotë se një ndikim për fuqizim të prodhuesve vendos e ka pasur edhe vendosja e flamujve të shteteve të origjinës. Në këtë mënyrë, sipas tij konsumatorët po zgjedhin më lehtë për të blerë produkte vendore. As kompania “Meka” sipas Pirajt nuk ka rritur çmimet e produkteve.

Që taksa të vazhdojë është edhe pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, i cili për KosovaPress ka thënë se vendosja e taksës ka qenë pozitive për kompaninë që ai drejton.

Janë bërë 5 muaj që kur Kosova i ka vendosur taksë 100 përqind produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, e për këta muaj vlera e importit nga këto dy vende ka rënë në 99 përqind. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Doganës së Kosovës Adriatik Stavileci, i cili ka treguar se ka rritje të importit nga shteti i Gjermanisë dhe Italisë.

Sa i përket shqetësimit të prodhuesve vendos, se përkundër që janë bërë 5 muaj nga vendosja e taksës ende nëpër markete ka produkte të shumta me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, Stavileci thotë se qytetarët i kanë bojkotuar dhe për këtë arsye produktet po vazhdojnë të jenë prezentë.

Qeveria e Ramush Haradinajt, me 21 nëntor i ka vendosur taksë 100 përqind produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, e kjo taksë sipas kryeministrit Haradinaj nuk do të hiqet pa ndodhur njohja e Kosovës nga Serbia. Madje, ai ka refuzuar ta largojë taksës edhe pas presioneve të shumta që i janë bërë nga përfaqësues vendor e ndërkombëtarë