Këtë të martë të 21 majit është zhvilluar me tensione protesta e opozitës pranë Bashkisë së Tiranë, e cila nisi zyrtarisht nga ora 11:00, siç ishte parashikuar.
Në hapje të saj, protestuesit menjëherë hodhën disa shashka, tymues dhe molotovë drejt godinës, duke shkaktuar zjarre dhe shtëllunga tymi, por pa rrezik ndaj efektivëve të Policisë, të rreshtuar në rrethimin e Bashkisë kryeqytetase.
Thirrja ishte e njëjtë, si edhe në protestat e kaluara: dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj. Përpos kësaj, protestuesit drejtuan thirrje edhe për “dënimin e Veliajt”.
Forca të shumta policie sakaq u mblodhën para Bashkisë së Tiranës, ku u stacionuan efektivë policie, por edhe oficerë të FNSH-së, me skafandra.
Ndërkohë, policia ka publikuar më herët edhe planin e masave të marra në kuadër të protestës.
Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njoftoi se, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.
Në njoftim thuhet gjithashtu se gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore.
Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune.







