Priten vonesa në formimin e qeverisë

Ndarja e posteve qeveritare mes LVV-së e LDK-së pritet të shkaktojë vonesa në formimin e qeverisë së re.

Analistët vlerësojnë se zvarritja e formimit të institucioneve të reja mund të shmanget me ndarjen e barabartë të përgjegjësive mes LVV-së dhe LDK-së, shkruan “Zëri”.

Formimi i qeverisë së re pritet të marrë më shumë kohë sesa që ishte paraparë. Lidhja Demokratike e Kosovës i ngriu negociatat për arritjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje deri në daljen e rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së.

Por numërimi i votave nuk pritet të përfundojë së paku edhe 10 ditë. Kësisoj, përveç vonesës së rezultateve, formimin e qeverisë mund ta vonojë edhe ndarja e posteve qeveritare brenda koalicionit të mundshëm LVV – LDK.

Ndarja e dikastereve është bërë “mollë sherri” mes të dyja këtyre partive, të cilat dolën fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit me rezultat tepër të ngushtë.

Sipas njohësve të çështjeve politike, ndonëse nuk dihet sa mund të zgjasë formimi i qeverisë, ekzistojnë zëra nga këto parti që nuk duan të arrijnë marrëveshje bashkëpunimi ose së paku ta zvarrisin atë.

Kësisoj, ata theksojnë se për një koalicion sa më të shpejtë LVV-ja e LDK-ja duhet t’i ndajnë në mënyrë të barabartë përgjegjësitë e tyre në qeverinë e re.

loading…