Rrezarta Krasniqi

Krasniqi: Në Ditën e Evropës, Kosova feston muajin e 11-të të sanksioneve nga BE-ja

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi ka thënë se në Ditën e Evropës Republika e Kosovës feston muajin e 11 të sanksioneve nga vendet e BE-së.

Teksa ka hedhur kritika mbi qeverinë aktuale në krye me kryeministrin Albin Kurti, deputetja Krasniqi thotë se qasja e gabuar nga Qeveria Kurti ka sjellur për herë të parë përplasje të ashpra me BE-në dhe si pasojë, Kosova është në vendet e sanksionuara nga Bashkimi Evropian.

“Republika e Kosovës gjithmonë është njohur si një nga vendet më pro evropiane në Ballkan dhe një shtet demokratik në miqësi të përhershme me ShBA dhe BE. Në vend se këtë datë ta festojmë me ndonjë njohje të re ose anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare ne gjendemi nën sanksione nga vendet e BE-së, kushtëzime të reja për KiE që vijnë si rrjedhojë e premtimeve të trinomit Kurti-Osmani-Konjufca dhe raporte të rrënuara me Bashkimin Evropian dhe ShBA”, shkroi ajo në Facebook.

Ajo thekson se Kosova e ka vendin në BE.

“Si shoqëri e kemi obligim që Kosovën ta bëjmë pjesë të të gjitha organizatave ndërkombëtare, të anëtarësohemi në BE, si garanci për të ardhmen tonë demokratike dhe në NATO për garancën e sigurisë në vend dhe mbarë Ballkanin. Republika e Kosovës e ka vendin në Bashkimin Evropian dhe vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës e garanton rrugën evropiane për qytetarët tanë”, shtoi më tej ajo.