Guardiola u ‘rrëmbye’ nga lotët pas fjalëve që Kloppi i tha për të në ditën e fundit në Angli

Pep Guardiola u përlot pasi dëgjoi fjalët që Jurgen Klopp i ka thënë për të para se të nis ceremonia e tij lamtumirëse në ‘Anfield’.

Klopp e drejtoi ndeshjen e tij të fundit tek Liverpooli të dielën, duke i dhënë fund aventurës së tij nëntëvjeçare me një fitore të pastër me rezultat 2-0 ndaj Wolvesit.

Konkurrenti i tij kryesor gjatë kësaj kohe në Ligën Premier ka qenë Guardiola, pasi City dhe Liverpooli kanë luftuar me njëra-tjetrën për pjesën më të madhe të kohës në Angli.

Jashtë fushës, Guardiola dhe Kloppi kanë treguar respekt të madh për njëri-tjetrin, kështu që nuk ishte një befasi kur dëgjon fjalët që gjermani i tha për Guardiolën.

“Ai është trajneri më i mirë në botë. Nëse vendosni një trajner tjetër në atë ekip, ata nuk do ta fitonin ligën katër herë radhazi”, kishte thënë Klopp.

Guardiola më pas ishte pyetur në lidhje me fjalët e Kloppit në konferencën për shtyp pasi City mposhti me rezultat 3-1 Ëest Hamin për të fituar titullin, dhe ai u ‘rrëmbye’ nga lotët.

“Do më mungojë shumë, Jurgen ka qenë me të vërtetë një pjesë e rëndësishme e jetës sime. Ai më ka çuar në një nivel tjetër si trajner”, ka thënë Guardiola.

“Mendoj se ne e respektojmë njëri-tjetrin jashtëzakonisht shumë, unë kam një ndjenjë se ai do të rikthehet përsëri”, përfundoi spanjolli.