Trepça e ka fituar ndeshjen ndaj Splitit të Kroacisë me rikthim dramatik të rezultatit.

Kampionia e Kosovës të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, shkëlqeu në momentet vendimtare të ndeshjes së xhiros së shtatë të Grupit A të “FIBA Europe Cup” dhe fitoi me rezultatin 94:88.

Drilon Hajrizi shkëlqeu në momentet vendimtare.

Mitrovicasit e humbën periudhën e parë të ndeshjes me rezultat 27:19, por u kthyen më pas duke fituar 32:19 në periudhën e dytë. Ky rikthim bëri që Trepça të shkojë në pushim me pesë pikë epërsi, 51:46.

Mysafirët nga Kroacia pas pushimit hynë furishëm dhe me seri 12:0 kaluan në epërsi 58:51.

E mbajtën epërsinë deri në fund të këtij çereku. Epërsia shkoi deri në dhjetë pikë, por Trepça afro dy minuta para fundit pati seri 7:0 dhe u afrua në dy pikë, 69:67.

5 minuta e 52 sekonda para fundit kaloi në epërsi me pikët e Drilon Hajrizit nga gjuajtja e lirë, 77:76.

Dhe më nuk e lëshoi epërsinë për fitoren me gjashtë pikë dallim.

Statistikat më të mira te vendësit i pati Jean-Pierre Tokoto, me 16 pikë, tetë kërcime e katër asistime. Hajrizi u dallua po ashtu te “xehetarët” me 18 pikë, dy asistime e dy kërcime. Shumicën e pikëve i realizoi kur po vendosej ndeshja. Andrew Thelwell i realizoi 18 pikë po ashtu, ndërsa i pati edhe katër kërcime e tri asistime.

Nick Johnson ishte i pandalshëm tek ekipi kroat me 30 pikë, gjashtë kërcime e gjashtë asistime.

Për Trepçën ishte fitorja e katërt, ndërsa i ka edhe tri humbje. I ka 11 pikë.

Spliti e pësoi disfatën e tretë. I ka edhe katër fitore. Tani barazohet me pikë me Trepçën. Kështu gara për vendin e dytë në grup mbetet e hapur kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund. Dy vendet e para kualifikohen tutje.