Troy Parrott realizoi penalltinë në minutën e 28-të për 1:0 dhe në fund Kosova e humbi 3:0 ndeshjen përfundimtare të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve.
Kosova përfundoi e treta në Grupin B3 dhe do të luajë në Ligën B edhe në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Irlanda përfundoi e dyta dhe do të luajë në plejof për inkuadrim në Ligën A. Për më tepër Irlanda me fitoren e së martës ka zënë vend në vazon e dytë për shortin e kualifikimeve për Euro 2028. Ndërkohë Kosova do të jetë në vazon e tretë për short dhe kështu do të ketë gjasa më të vogla për kualifikim.
Kosova e nisi më mirë ndeshjen dhe rrezikoi përmes Lindon Emërllahut dhe Vedat Muriqit. Por momenti i pakujdesshëm i Hajrizit ndryshoi rrjedhën e lojës. Në fakt Irlanda do të kalonte në epërsi edhe nëse Hajrizi nuk do të ndërhynte, por të paktën Kosova do të kishte gjithë lojtarët në fushë.
Me rezultatin 1:0 përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë irlandezët shpejt shënuan për 2:0. Aro Muriq shkaktoi penallti, ndërsa Parrott ishte i saktë në minutën e 50-të.
Ndërkohë për 3:0 shënoi Jack Moylan në minutën e 75-të.
Austria e fitoi grupin me 12 pikë. Irlanda i mblodhi tetë, ndërsa Kosova gjashtë. Izraeli përfundoi i fundit me katër pikë.
Në fakt Kosova ka rrezikuar të bie edhe në vendin e katërt në grup dhe kështu të luajë në plejof për mbetje në Ligën B. Por Austria barazoi 1:1 me Izraelin në Debrecen të Hungarisë, për t’ia pamundësuar izraelitëve barazimin me pikë me Kosovën.
Kosova tani e pret shortin e kualifikimeve për Euro 2028.






