Gazetari gjerman: Një zyrtar në Berlin më tha ‘Serbia mund të ndërhyjë në veri’

Gazetari gjerman, Michael Martens, një korrespodent i Franfurter Allgemeine Zeitung në Ballkan, ka thënë se sipas zyrtarëve të qeverisë gjermane ekziston një rrezik për sigurinë në Ballkan.

Martens ka cituar fjalët e një zyrtari të qeverisë gjermane, i cili i ka thënë se “Serbia është e gatshme të ndërhyjë [ushtarakisht] në veri të Kosovës”.

Në një shkrim në rrjetin social Twitter, pas disa intervistave që ka realizuar në Berlin rreth pikëpamjeve gjermane për sigurinë në Ballkan, Martens ka pohuar se Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë është e shqetësuar për situatën në Ballkan.

“Ministria e Mbrojtjes e Serbisë pretendon se ushtria e Kosovës është një kërcënim për Serbinë, pasi në të ardhmen Prishtina mund të joshet që të vërë nën kontrollin e saj me forcë pjesën veriore të Kosovës, e cila është e banuar kryesisht nga serbët dhe de facto pjesë e Serbisë”, shkruan ai.

“Si do të reagonte Serbia? ‘Nga këndvështrimi ynë, serbët janë pozicionuar në atë mënyrë që të mund të lëvizin (ushtarakisht) në veri nëse është e nevojshme. Ata kanë potencialin për të reaguar’, thonë burimet në Berlin”, vazhdon postimi i tij rreth ndërhyrjes së mundshme serbe në Kosovë.

Por, sipas tij, ky skenar nuk është realist për sa kohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajnë një rol kyç në Kosovë.

Martens ka theksuar faktin se lufta që Rusia ka më ShBA-në ka nxitur frikën që Kremlini mund të nxisë konflikte edhe në Ballkan. Kësisoj ai ka shpjeguar edhe historikun që nga zbarkimi i trupave të KFOR-it në Kosovë e deri tek formimi i ushtrisë së Kosovës.

“..një ushtri pro-perëndimore e Kosovës po ndërtohet me mbështetjen e NATO-s”, shkruan ai.

Tutje, ai ka theksuar se një nga kontribuuesit kryesor në ndërtimin e kësaj ushtrie është edhe Bundestagu Gjerman, mirëpo që sipas tij një gjë e tillë nuk përmendet në NATO për shkak të planit të Ahtisarit.

“Arsyeja për këtë gjendet në “Planin e Ahtisaarit”, bazë për pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Në këtë plan nuk përmendet ushtria”, shpjegon Martens.

“Plani i Ahtisaarit në vend të kësaj thotë, “do të krijohet një Forcë e re profesionale dhe multietnike e Sigurisë së Kosovës (FSK). Ai do të jetë “i armatosur lehtë dhe nuk do të ketë armë të rënda, si tanke, artileri të rëndë ose aftësi ajrore sulmuese””, shton ai.

Martens ka treguar edhe prapaskenat që Ahtisari dhe ekipi i tij kishin pasur më 2006 me Romën dhe Berlinin.

“Në prapaskenë, z. Ahtisaari dhe ekipi i tij kishin mjaft konflikt për këtë në vitin 2006, veçanërisht me Berlinin dhe Romën, pasi ata që pretendonin se pavarësia e Kosovës ishte tashmë një poshtërim për Beogradin, i cili nuk duhet të rritet më tej duke lejuar që Kosova të ketë ushtrinë e vet”, shkruan ai.

“12 vjet më vonë, në vitin 2018, parlamenti i Kosovës miratoi njëzëri planin për krijimin e një ushtrie të plotë të Kosovës, (deputetët e pakicës serbe duke bojkotuar seancën)”, shkruan Martens duke shtuar se në atë kohë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg kishte dalë kundër formimit të kësaj ushtrie.

Mirëpo, kjo ushtri kishte gjetur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kurse sot, sipas gazetarit gjerman, vazhdon mbështetja logjistike nga ana e Gjermanisë.

Michael Martens ka përmendur edhe fondin e sigurisë që kryeministri Albin Kurti ka krijuar gjatë këtij viti për mbështetjen e Ushtrisë së Kosovës.

Gazetari gjerman përmes kat cicërimave ka shpjeguar edhe situatën në Bosnje duke shkruar se ky vend shihet ndryshe në Berlin.

“Bosnja ka një ushtri, por vetëm si ‘thashetheme’, thotë një burim në Berlin, duke pretenduar se në rast konflikti nuk do të kishte një ushtri boshnjake, por tre, pasi ajo do të ndahej në përbërësit boshnjakë, kroatë dhe serbë”, shkruan ai.

Krejt në fund ai shkruan: “Kanë mbetur vetëm pak trupa të NATO-s në Ballkan. Ushtria e Kosovës është në ndërtim e sipër. Por ideja se Rusia mund të destabilizojë ushtarakisht rajonin duket e largët, pasi nuk ka mjete apo partnerë për ta bërë këtë në një shkallë të gjerë”.