Gazetarët dhe shoqëria civile: Të zbatohet më shumë Ligji i Sinjalizuesve

Sot shënohet Dita Botërore e Sinjalizuesve. Sinjalizimi është i rregulluar me ligj edhe në vendin tonë.

Në Kosovës, çështja e sinjalizimit është e rregulluar me Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. “Qëllimi i këtij ligji është mundësimi i sinjalizimit të shkeljeve në sektorin publik dhe privat si dhe mbrojtja e sinjalizuesve”, thuhet në nenin 1 të ligjit. Sinjalizimi mund të jetë i brendshëm, i jashtëm dhe publik. Ky i fundit mundëson sinjalizimin edhe nëpërmjet mediave, çka mundëson luftimin e dukurive të kundërligjshme dhe të bërit gazetari.

Gazetarja Ardiana Thaqi-Mehmeti, ka vlerësime pozitive për ligjin. Ajo tregon për Radio Kosovën disa nga hulumtimet kryesore të realizuara, në të cilat burim i informacionit kanë qenë sinjalizuesit.

“Shumicën e temave te mëdha që kanë pasur të bëjnë me keqpërdorimet brenda institucioneve shtetërore kanë ardhur pikërisht nga sinjalizuesit. Një rast sinjalizimi ka qenë nga Aeroporti i Prishtinës, ku në fakt kam raportuar për Agjencinë e Shërbimit të Navigimit Ajror dhe për dy vite kam zbuluar afera të ndryshme. Kam pasur sinjale te mëdha për parregullsi edhe nga brenda Telekomi i Kosovës. Një temë tjetër që kam punuar fal sinjalizueseve ka qenë edhe ajo për punësimet brenda Bankës Qendrore të Kosovës. Tash, së fundmi e kemi pasur në Kiks Kosova, ku edhe kemi zbuluar një incident ajror i cili ishte tentuar të mbahej i fshehtë pikërisht nga agjencitë që e monitorojnë dhe menaxhojnë hapësirën ajrore të Kosovës. Pas publikimi të këtij rasti hetimet vecse kanë filluar dhe janë drejt përfundimit”, tha ajo.

Gazetarja Thaqi-Mehmeti thotë se efektet e ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve do të mund të ishin edhe më të mëdha nëse do të funksiononte më mirë sinjalizimi brenda institucioneve. E, meqë kjo formë sinjalizimi nuk është mjaftë efektive, ajo thotë se sinjalizuesit çdo ditë e më shumë po zgjedhin mediat për të sinjalizuar parregullsi.

“Sinjalizimi përmes mediave është gjithnjë më efektiv se sa sinjalizimi që është përbrenda institucioneve, për faktin se njerëzit që janë të vendosur si  përgjegjës për t’i grumbulluar këto sinjale ndodhë të mos e kryejnë punën si duhet apo të jenë të afërt me drejtuesit e institucionit ose ndërmarrjes ku punojnë. Andaj edhe kur një informacion bëhet publik përmes medias zakonisht zgjidhet deri diku. Fakti se del në media ia jep njëfarë presioni institucionit të cilët duhet me e zgjidhe atë problem. Unë po flas këtë, nisur edhe nga ajo se ne kemi raportuar në dy vitet e fundit me “Kiks Kosova” shumë probleme apo sinjale që na kanë ardhur brenda institucioneve, e të cilat edhe janë zgjidhur”, tha ajo.

Getarbë Mulliqi-Bojaj, drejtoreshë ekzekutive në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, thotë se bazuar në një hulumtim të realizuar vitin e kaluar, gazetarët thonë se ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve është mjaftë i mirë, por nuk zbatohet sa duhet.

Gazetarë e pjesëtarë të shoqërisë civile kërkojnë më shumë zbatim të ligjit për sinjalizimin, pasi thonë se është një mekanizëm i mirë për bërjen publike të parregullsive dhe luftimin e dukurive të kundërligjshme.

“Sipas hulumtimeve tona, në Kosovë mund të thuhet se ka mjaftë raste të aferave që janë zbuluar nëpërmjet sinjalizuesëve. Gazetarët thonë se nuk ndihen të frikësuar që t’i përdorin informatat që pranojnë nga sinjalizuesit. Mirëpo, për fatin e keq sinjalizuesit vazhdojnë të mos ndjehen të sigurt që publikisht në media t’i raportojnë shkeljet për të cilat kanë njohuri”, tha ajo.

Ligji për mbrojtjen e sinjalizueseve është mekanizëm efektiv për luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve tjera, thotë Albana Hasani nga Lëvizja Fol. Por, sipas saj, në praktikë ka sfida për zbatimin e ligjit.

“Sfidë vazhdon të mbetet mungesa e njohurive të punëtorëve si të sektorit publik ashtu edhe të atij privat, për termin sinjalizim dhe për benefitet që ofron sinjalizimi dhe raportimi i keqpërdorimeve brenda institucionit. Pastaj për procedurat e sinjalizimit. Ligji në vete ka mjaftë zbrazti ligjore pasi ka paraparë disa çështje që janë vështirë të realizueshme në praktikë, si shembull kjo çështja e konfidencialitetit të sinjalizimeve”, tha ajo.

Hasani thotë se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, e cila ka përgjegjësi për sinjalizimin, nuk po bënë punën aq mirë sa duhet.

“APK-ja do të duhet të bënte më shumë në vetëdijesimin e institucioneve dhe punëtorëve për rolin e sinjalizimit dhe procedurat. Gjatë hulumtimeve që kemi pasur, në lidhje me institucionet që kanë caktuar zyrtarët përgjegjës për sinjalizim, shumica prej tyre nuk ishin të informuar se çka është sinjalizimi, e në disa raste e kanë ngatërruar këtë me sinjalistikën rrugore. Në shumë raste, kur i kemi pyetur a e keni caktuar zyrtarin për sinjalizim, na kanë thënë si po doni me e ditë këtë çështje konfidenciale”, thotë ajo.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, në një aktivitet te Lëvizjes Fol, tha se po bëjnë hapa konkret për promovimin e sinjalizimit.

“Ne, tashmë kemi zhvilluar disa materiale promovuese për ligjin, të cilat jenë transmetuar në RTK. Pastaj, kemi lobuarshumë që të përmbyllet korniza nënligjore sa i përket ligjit për sinjalizimin. Janë dy aktet e fundit: Udhëzuesi për hetimin administrativ antikorrupsionit dhe Udhëzuesi për mbrojtjen e sinjalizueseve të cilët janë në fazën finale të zhvillimit”, tha ai.

Para miratimit të ligjit për mbrojtjen e sinjalizueseve në vitin 2018, Kosova kishte një ligj për mbrojtjen e informatorëve.