Fabrika e çimentos në Klinë| Elezaj akuzohet se mori anën e investitorëve dhe shpërfilli qytetarët

Ka disa ditë që banorët e Klinës po e kundërshtojnë ndërtimin e fabrikës së çimentos në fshatin Dollc të kësaj komune.

Fabrika që po tenton të ndërtohet nga Wallingford International Kosova L.L.C është e regjistruar në ARBK.

Megjithëse, kjo kompani ka marrë pëlqimin nga Ministria e Mjedisit dhe nga Komuna e Klinës, që udhëhiqet nga Zenun Elezaj i AAK-së, ndërtimi i saj në afërsi të shtëpive të banimit po shihet shumë i rrezikshëm për ambientin dhe jetën e banorëve, raporton Demokracia.com.

Elezaj, i cili pas protestave të banorëve po thotë se ishte vënë para aktit të kryer për ndërtimin e kësaj fabrike, këtë e kishte pasur edhe premtim zgjedhor në vitin 2017.

Ai gjatë fushatës kishte premtuar se do të punojë për krijimin e kushteve dhe sjelljen e investitorëve për ndërtimin e fabrikës së çimentos.

Ndonëse e ka pasur premtim, ai sot thotë se qytetarët janë dezinformuar për këtë çështje, duke theksuar se komuna është vendosur para një akti të kryer nga institucionet përgjegjëse të Kosovës dhe nuk ka pasur mundësi ligjore të refuzojë pajisjen me leje ndërtimore për kompaninë në fjalë.

“Fillimisht dua të theksoj se, duke u bazuar në Planin Zhvillimor Komunal, ne, si organ përgjegjës me ligj, kemi lëshuar një dokument që vërteton se institucionet lokale nuk kanë ndonjë interes për investime në pronën në fjalë. Dua të sqaroj para jush se lejes ndërtimore i kanë paraprirë një varg dokumentesh të lëshuara nga pushteti qendror. Fillimisht, dëgjimi publik si procedurë e parë është organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për çka komuna nuk ka qenë përgjegjëse për organizimin e dëgjimit publik”, ka shkruar Elezaj në Facebook.

Ai ka shtuar se nuk kanë pasur mundësi ligjore ta refuzojnë lejen ndërtimore për kompaninë, përcjell Demokracia.com.

“Të gjitha këto vendime të institucioneve qendrore ne si pushtet lokal na kanë sjellur para një akti të kryer, sepse kompania në fjalë në momentin e aplikimit për leje ndërtimore i ka plotësuar të gjitha kërkesat të kërkuara sipas ligjit në fuqi. Rrjedhimisht ne nuk kemi pasur mundësi ligjore ta refuzojmë lejen ndërtimore për kompaninë. Lidhur me këtë çështje kam qenë vazhdimisht i hapur që të takoj qytetarë, ku kanë shprehur shqetësimin e tyre e po ashtu kemi qenë shumë transparentë edhe me mediat”, ka shkruar Elezaj.

Por, së fundmi, institucionet e nivelit qendror kanë marrë vendim për pezullimin e lejeve të lëshuara ndaj kompanisë Wallingford Interenacional Kosovo për ndërtimin e fabrikës së çimentos në fshatin Dollc të Klinës.

Lajmin për Demokracia.com e ka konfirmuar Veton Raci, një prej organizatorëve të protestës së banorëve të fshatit Dollc, të cilët e kanë organizuar më herët edhe një peticion dhe kanë arritur t’i grumbullojnë afër 5 mijë nënshkrime të banorëve për kundërshtimin e ndërtimit të kësaj fabrike, ndonëse vendimi ende nuk është bërë publik.

Raci në një deklaratë për Demokracia.com ka kritikuar ashpër kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj, i cili sipas tij ka dalë kundër interesave të qytetarëve të Klinës dhe është rreshtuar me investitorin.

Ai ka thënë se në këtë rast ka pasur shumë shkelje ligjore.

“Në fakt janë disa probleme, por kryesisht janë probleme ligjore, që janë mosrespektim i procedurave nga ana e operatorit. Po ashtu, edhe mungesa e organizimit të dëgjimeve publike në komunën e Klinës ose dëgjimeve publike periferike në pjesë të largëta të Klinës ose banorë që nuk kanë qenë të informuar me problematikën e ndërtimit të fabrikës së çimentos. Shtojmë faktin se këto dëgjime publike nuk janë publikuar asnjëherë në uebfaqen e komunës së Klinës, me çka qytetari ka qenë në terr informativ dhe nuk ka mundur të marrë informacionin e duhur për ta shprehur mendimin dhe shqetësimet e veta lidhur me këtë çështje. Me ligj janë të obliguar ta publikojnë dëgjimin publik. Zëri i qytetarëve është obligim të dëgjohet dhe kjo është e garantuar edhe me Kushtetutë. Kjo është procedura e parë që është shkelur”, tha ai për Demokracia.com.

Ai tregon se edhe kur janë nënshkruar kushtet, ish-drejtori i urbanizmit, Lorenc Marlekaj, ka bërë shkelje.

“Procedurë tjetër që është shkelur është se me rastin e nënshkrimit nga ana e ish-drejtorit të urbanizmit, i cili pa e marrë nënshkrimin e zyrtarit profesional të komunës, i nënshkruan kushtet. Telashe tjetër ligjor është që drejtori aktual e ka bërë nënshkrimin e lejes së ndërtimit, të cilën prapë nuk e kanë pranuar zyrtarët për shkak të problemeve ligjore”, ka thënë Raci.

Raci thotë se edhe Kuvendi Komunal i Klinës i ka anuluar të gjitha lejet që i ka dhënë komuna.

“Këta nuk e përfillën as vendimin e KK. MAPL e dërgon në KPMM dhe ata çuditërisht ia bashkëngjesin në dokument të arbitrazhit me rastin e Telekomit, e cila nuk lidhet asgjë me rastin konkret, sepse janë fusha krejt të ndryshme. Kjo është bërë për ta vënë në lajthitje qytetarin dhe organet komunale. Kjo nuk parasheh klauzolë arbitrazhi, edhe nëse i anulon të gjitha lejet dhe pëlqimet e dhëna”, ka treguar Raci për Demokracia.com.

Ai ka thënë se kryetari Zenun Elezaj i ka tejkaluar kompetencat e tij.

“Ai nuk ka qëndruar si një përfaqësues i qytetarëve të Klinës, por ka dalë në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe ruajtjen e ambientit në Klinë. Kryetari i Komunës, siç duket ka qenë zëri i investitorit dhe jo interesin e qytetarit. Kryetari i komunës ka shpërfillur zërin e qytetarëve dhe ka dëgjuar zërin dhe interesin e investitorit dhe nuk do shumë logjikë se ai ka qenë kundër qytetarëve, ai kohëve të fundit nuk pranon takime me qytetarë, nuk pranon ballafaqime në emisione”, është shprehur Raci.

Procedurat për lëshimin e lejeve ndaj kompanisë Wallingford International Kosovo kishin nisur në vitin 2019 dhe ku përfshiheshin Komuna e Klinës, Ministria e Ambientit, Ministria e Bujqësisë dhe dikur ishte përfshirë edhe Ministria e Administratës Publike.

Ministria e Ambientit më 17 mars 2021 ka nxjerr ‘‘Vendim për Pëlqim Mjedisor për Fabrikën për prodhimin e Çimentos në lokalitetin Dollc, Komuna Klinës’’, pas kërkesës së kompanisë të bërë në drejtim të ministrisë.

Kjo i hapte rrugë kompanisë Wallingford International Kosovo për ndërtimin e fabrikës në pronë publike me sipërfaqe 35 hektarë 20 ari e 94 metra katrorë.

Paraprakisht edhe Komuna e Klinës kishte nxjerrë vendim dhe e kishte pajisur me leje përkatëse kompaninë.

Kuvendi Komunal i Klinës ka votuar për të tërhequr lejet e lëshuara për kompaninë, mirëpo së fundmi Komuna e Klinës ka lëshuar leje të ndërtimit për kompaninë në fjalë, anise vendimi është kundërshtuar e po kundërshtohet nga banorët. Komuna është arsyetuar se vendimit të saj i kanë paraprirë vendimet e disa ministrive.

Ndërtimi i kësaj fabrike është kundërshtuar edhe nga profesori universitar, Zeqir Veselaj.

“Çimentoret janë prej atyre objekteve industriale që kudo që ndërtohen ngrehin pas vetes shumë frikë dhe brenga për mjedisin për shkak të shkarkimeve që i bëjnë në ajrin ambiental në vendin ku ndërtohen. Qytetarët  e Klinës e kanë të arsyeshme frikën se çka do të ndodh nëse një fabrikë e çimentos ndërtohet në komunën e tyre, e cila deri tani e ka pasur tretmanin e një komune të pastër, më tokë bujqësore, lumenj. Protesta kundër fabrikave të çimentos janë prezente edhe në vende shumë më të avancuara e demokratike, ku standardet mjedisore janë të siguruara që investitorët nuk mund t’i prekin dhe anashkalojnë. Në Kosovë, duke parë sesi trajtohet mjedisi dhe standardet mjedisore, unë i kam mirëkuptuar prej fillimit banorët që kanë qenë kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos”, tha Veselaj për Demokracia.com.

Ai tha se ndotja kaq e madhe mund të jetë shumë e rrezikshme për banorët që jetojnë në atë zonë.

“Kryesisht janë shkarkimet që i bënë në ajër gjatë proceseve teknologjike të përpunimit, pjekjes dhe një varg operime të tjera që shkojnë deri të kthehet lënda e parë në çimento. Se çka mund të shkaktojë një fabrikë e çimentos mjafton t’i shikojmë kulmet e shtëpive në Hanin e Elezit sesi janë nga e kaluara dhe çfarë ngjyre kanë marrë. Ato janë një ilustrim i mirë pse njerëzit kanë frikë, sepse aty janë depozituar ato shkarkime me vite dhe ajo çka ka mbet, ka mbetur në kulmet e shtëpive, kurse pjesa tjetër ka përfunduar në mushkëritë e njerëzve që kanë jetuar aty”, tha ai për Demokracia.com.

Veselaj thotë se në këtë proces nuk ka pasur fare transparencë.

“Jo, planin nuk e kam parë, siç nuk e kanë parë as banorët. Mostransparenca i ka nxit qytetarët që të reagojnë. Për më tepër, investitorët mund të premtojnë teknologjitë më të reja sa i përket shkarkimeve, por në Kosovë nuk besoj që jemi në një vend ku premtimet e investitorëve, nëse nuk vendosen në letër, janë të garantuara se do ta sjellin teknologjinë e re. Në vendet e varfra, sigurisht nuk sillen teknologjitë më të reja që i reduktojnë shkarkimet ndotëse në ajër”, tha ai.

Ditë më parë është raportuar se kompania “Thyssenkrupp Industrial Solutions” nënshkroi marrëveshje me kompaninë “Wallingford International Kosovo LLC” për zhvillimin e projektit (EPC+CM – engeeniering, procurement, construction and construction managment) për ndërtimin e fabrikës së çimentos në komunën e Klinës.

Demokracia.com i posedon shumicën e dokumenteve zyrtare rreth kësaj çështjeje, që nga raporti i parë “Parafizibiliteti për ndërtimin e fabrikës së çimentos në lokacionin Gremnik-Perçevë”, Komuna e Klinës, në vitin 2015. Ky raport ishte përgatitur në tetor të vitit 2015 nga Zija Shabi dhe konsulenti Ilmi Shabani. /Demokracia.com/