Lajmi se Qeveria e Serbisë ka miratuar kontratën me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, për ndërtimin e një hoteli luksoz në vendin e ish- objektit të Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, shënohet edhe nga mediat botërore.
Kushner, shkruan Newsweek, konfirmoi nënshkrimin e marrëveshjes, duke thënë se “progresi ekonomik i Serbisë në dekadën e fundit ka qenë mbresëlënës”, transmeton Ballkani.info.
“Ky zhvillim do ta ngrejë më tej Beogradin në destinacionin kryesor ndërkombëtar që po bëhet,” shtoi ai.
Një pjesë e vogël e protestuesve u mblodhën në vendin e ndërtimit të planifikuar të enjten, raportoi Newsweek, duke bllokuar trafikun dhe duke mbajtur tabela që shkruanin: “Ndaloni t’i jepni selitë ushtarake kompanive amerikane”.
Gazeta britanike Independent shkruante në një artikull të titulluar “Jared Kushner mori dritën jeshile për një projekt hoteli në Serbi me vlerë 500 milionë dollarë” se dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, mori miratimin për ndërtimin e një hoteli luksoz me vlerë 500 milionë dollarë në vendin ku ishte Shtabi i Përgjithshëm në Beograd.
LEXONI EDHE:
Sipas marrëveshjes, të cilën e ka njoftuar Qeveria e Serbisë, lokacioni i bombarduar i Ministrisë së Mbrojtjes së ish-Jugosllavisë në Beograd do të shndërrohet në kompleks hotelerie.
Dhëndri i Trump, i cili është i martuar me Ivanka Trump, themeloi kompaninë e tij pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021. Qeveria e Arabisë Saudite është një nga financuesit kryesorë të kompanisë së Kushnerit, e cila mund të paraqesë një konflikt interesi nëse Trump kthehet në presidencë.
“Është një konflikt interesi në kuptimin më ekstrem: Presidenti i Shteteve të Bashkuara duhet të avancojë interesat e Shteteve të Bashkuara, jo interesat financiare të anëtarëve të familjes,” citoi Independent Adav Noti, drejtor ekzekutiv i Campaign Legal Center. e cila monitoron çështjet e etikës në qeverinë federale, siç tha për New York Times.
Kushner, megjithatë, thotë se nuk ka plane të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, kështu që nuk ka konflikt interesi.
Agjencia Associated Press vë në dukje kundërshtimin e opozitës dhe publikut të gjerë ndaj këtij projekti, duke thënë se për shumë ky vend është “një simbol i fortë i rezistencës së Serbisë kundër asaj që ata e quajnë ‘agresion të NATO-s’ 25 vjet më parë”.
“Opozitari Aleksandar Jovanoviq njoftoi se kjo organizatë do të “përdorë të gjitha mjetet, përfshirë edhe ato fizike” për të mbrojtur rrënimin e ndërtesës së vjetër të Shtabit të Përgjithshëm dhe për t’ia dorëzuar atë kompanisë amerikane”, transmeton AP.
“Në momentin që do të shfaqen buldozerët e parë, ne do t’i presim,” tha Jovanoviq në konferencën për shtyp dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t’u bashkohen atyre, veçanërisht pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Serbisë, “të gjithë atyre që kanë guximin të mbrojnë Shtabin e vjetër”.
Partia e Re Demokratike e Serbisë në opozitë, raporton Bloomberg, dënoi planet për ta kthyer vendin në një “hotel kazino, duke tallur kështu kulturën, historinë dhe arkitekturën serbe”. Ata premtojnë të luftojnë kundër “shitjes” që tjetërson jo vetëm parcelën më të vlefshme dhe më të bukur, por edhe “shpirtin” e Beogradit.
Pikëpamjet anti-establishment të Trumpit dhe pranimi i autokratëve nga ana e tij, shkruan Politico në raportin e saj për marrëveshjen mes qeverisë serbe dhe Kushnerit, pajtohen mirë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i cili së fundmi organizoi një pritje madhështore për presidentin kinez Xi Jinping dhe refuzon të vendosë sanksione mbi Rusinë.
Kritikët dyshojnë se shfrytëzimi i marrëveshjeve me dhëndrin e Trumpit mund të jetë një mënyrë për të parapaguar favore të mundshme në rast të një administrate tjetër Trump, sipas Politico.
Bombardimi i NATO-s i Jugosllavisë në vitin 1999, pas konflikteve të përgjakshme në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, mbetet burimi kryesor i pretendimeve dhe ankesave nacionaliste serbe – “se ata ishin në shënjestër të padrejtë nga Perëndimi për shkak të rolit të qeverisë së tyre në luftëra”, thekson Politico.
Çdo politikan në Serbi e përdori këtë ngjarje për të nxitur ndjenjat antiperëndimore dhe veçanërisht anti-amerikane, shkruan kjo media.
Por kjo nuk i ndali planet zhvillimore, madje Qeveria e Serbisë u përpoq të zbuste gjithçka duke paralajmëruar se në vendin e kompleksit të Kushnerit do të ndërtohej një kompleks memorial, vëren Politico. /Ballkani.info/







