Djokovic eliminohet nga US Open

Kampioni në fuqi Novak Djokovic është eliminuar nga US Open pasi e dorëzoi lojën kundër zviceranit Stan Wawrinka kur po humbiste bindshëm në rundin e katërt të grand slamit të fundit për këtë vit.

32-vjeçari serb u tërhoq në setin e tretë, duke u ankuar se kishte probleme me krahun.

Stan po fitonte 6:4, 7:5, 2:0, kur Djokovic u tërhoq.

Vendimi i serbit u prit keq nga turma në stadiumin gjigant Flushing Meadows, e cila u bë edhe më e zhurmshme derisa ai po largohej drejt zhveshtores.

“Më vjen keq për tifozët. E di që ata kanë ardhur për ta parë një ndeshje të plotë, por nuk ishte shkruar”, tha Djokovic pasi dorëzoi lojën.

Dorëzimi i Djokovicit nuk ka mundur t’ia marrë vëmendjen paraqitjes brilante të Wawrinkas, i cili e argëtoi tifozët me lojën e tij magjepsëse ndaj serbit.

loading…