Ibrahimovic starton te Milani që në ndeshjen e së hënës ndaj Sampdorias

Në fushë që në ditën e parë të stërvitjes në miqësore, titullar në ndeshjen e parë zyrtare në kampionat! Zlatan Ibrahimovic është gati, do të jetë nga minuta e parë në takimin me Sampdorian.

Nëse deri të premten në mengjes diskutohej nëse do të grumbullohej nga Pioli për takimin e shtëpisë me Sampin, sot ai shihet si lokomotiva që tërheq skuadrën kuqezi.

Prova që dha në testin me Rhodense, ku shënoi një gol dhe dha një asist, ishte e mjaftueshme për Piolin, i cili ka vendosur, me sa duket, ta aktivizojë titullar, ndonëse forma e tij nuk është më e mira e mundshme.

Publiku i “San Siros” po e pret e padurim, do të jenë 60 mijë tifozë që do të shpërthejnë me ovacione kur të zbresë në fushë qoftë për nxemjen.

Me Ibran në formacion, ai që do të përfundojë në stol do të jetë Piatek. Në krah të gjigantit suedez në sulm do të rreshtohen Suso dhe Çalhanoglu.

Situata e Piatek te Milani duhet të sqarohet brenda janarit. Polaku ka kërkuar të jetë më i qartë për të ardhmen e tij. Javët në vazhdim do të jenë vendimtare për të kuptuar qëllimin e tij dhe të trajnerit Pioli.

Opsionet janë dy: të qëndrojë dhe të konkurrojë me Zlatanin, ose të kërkojë një destinacion të ri në nivele të larta. Kujtojmë që ka refuzuar kthimin te Genoa apo transferimin në Premier League te Crystal Palace.