Dinari serb

Kurti në BBC: Dinari është i Millosheviqit, Serbia s’mund të na e imponojë atë, e ndaluam

Serbia deshi të niste luftë të re me Banjskën, por s’mundën…Terroristët ia dolën të na iknin sepse s’deshëm të qëllojmë mbi muret e manastirit ortodoks serb dhe ky ishte çmimi që paguam…dinarin e ndalëm sepse nuk lejohet të sjellën kamionë të mbushur me thasë me para të printuara nga Beogradi…Serbia s’mund të na imponojë dinarë neve…Dinari është gjë e shekullit të kaluar dhe Millosheviqit…Shumica e serbëve e pranojnë Republikën e Kosovës si shtet të tyre…s’lejojmë një grup njerëzish të bëhet më të fortë se shteti…

Përmbledhtazi këto të gjitha i tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë në podcast/dokumentar të BBC-së të titulluar “Kosovo – euro or bust”; në një bisedë tejet joafirmuese ndaj tij ku intervistuesi s’ia merr për të mirëqenë thuajse asnjë fjalë.

Pse i latë të iknin (terroristët), ju veç i kishit rrethuar”, i shtron pyetjen gazetarit i pabindur ndaj shpjegimeve të Kurtit.

Perimetrin e kishin tejet të gjatë e të madh”, ia ktheu Kurti, ndërsa arsyeja e daljes mbanë të tyre për të ikur tha se “ishte çmimi që paguam ne për shkak se s’deshëm që asnjë nga plumat tonë të binin mbi muret e manastirit ortodoks serb”.

Ne kemi kapur armë ushtarake me vlerë deri në pesë milionë euro. Të gjitha të prodhuara në Serbi vitet e fundit. Serbia (me këtë sulm) deshi të nisnte një luftë të re, por kjo nuk ndodhi dhe ia dolëm të eliminojmë tre terroristë por pasojat ishin që dhjetëra prej tyre ia dolën të na iknin; ndërsa sot ata janë në Serbi”.

Duke folur për çështjen e dinarit – Kurtin e tradhtoi ca gjuha kur pohoi se “e ndaluam dinarin” ndonëse që nga janari provon të thotë se “nuk është ndaluar dinari” dhe se “serbët mund të mbajnë dinarë”.

Ne e ndalëm (dinarin) sepse ata sjellin kamiona të mbushur me para në thasë në dinarë që i printojnë në Beograd, kjo s’do të lejohet. Duhet ta luftojmë veprimtarit e paligjshme, duhet ta luftojmë mundësinë e financimit të terrorizmit; prandaj, duhet të dimë se kush-kujt po i dërgon para, dhe për çfarë qëllimi”, tha ai.

“Në bazë të Kushtetutës sonë, Kosova mund të ketë veç një lloj të valutës si mjet të pagesës. Pra, ne veç se po thojmë se si mjet këmbimi ju mund të përdorni ‘Euro’-n. Dinari i përket shekullit të kaluar dhe Millosheviqit. Pra, nëse Serbia dëshiron dinarë, ata s’mund të na imponojnë neve këtë”, shtoi ai, raporton Nacionale.

BBC e ndërpreu duke e pyetur se “a nuk është në të vërtetë në agjendën tuaj që t’ia bëni serbëve jetën aq të vështirë sa të kapin e të largohen?”, Kurti ia ktheu – pa dhënë ndofarë baze – se “shumica e pakicës serbe e pranojnë Republikën e Kosovës si shtet të tyre”.

Shumica e pakicës serbe e pranojnë Republikën e Kosovës si shtet të tyre, sidoqoftë neve na duhet të parandalojmë Beogradin që mos t’i bullizojë ato. Nuk ka rrezik për serbët nga qeveria ime. Ne s’mund të lejojmë asnjë individ ose grup të bëhet më i fortë se shteti dhe shteti është sundim i ligjit për të gjithë dhe secilin”, tha Kurti.

Sërish e ndërpreu BBC duke i thënë se “ju vetë s’keni nderuar zotimin e Kosovës për vetëmenaxhim të serbëve”, ndërsa ai nuk iu përgjigj kësaj, duke u kthyer në atë që veç gëzojnë në vend.

“Serbët e Kosovës e kanë serbishten këtu si gjuhë zyrtare anekënd territorit në krejt nivelete e adminsitratës; po ashtu kanë 10 ulëse të rezervuara në Kuvend të Kosovës. Pra, ata kanë të drejtat më të gjera në Evropë si minoritet. Dhe çfarëdo gjëje që kam qenë duke bërë unë në këto 3 vite si kryeministër është ‘ligjshmëri dhe kushtetuetshmëri’. Neve na duhet të luftojmë aktivitetet e paligjshme, financimin e terrorizmit, gjërat duhet të jenë transparente”, tha mes tjerash Albin Kurti.