344 euro

Sharjet dhe nxitja e dhunës në Kuvend pritet t’i kushtojnë deputetëve deri në 344 euro

Shuma prej 344 euro pritet t’u kushtojë deputetëve për ofendimet, sharjet dhe nxitje të dhunës në seanca të Kuvendit të Kosovës.

Kështu parasheh kodi i sjelljes i cili është diskutuar në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Po ashtu, parashihen masa sanksionuese si vërejtje me shkrim e nëse ka shkelje të rëndë të përsëritur shqiptohet vërejtja me shpallje publike në uebfaqen e Kuvendit dhe deklarim të shkeljes në seancën e ardhshme.

Ndërkaq, mund të ketë suspendim deri në tri seanca, varet nga niveli i shkeljes, suspendim nga pjesëmarrja në mbledhje të komisioneve dhe e fundit është sanksionimi deri 20 për qind të pagës bazë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka propozuar që deputetëve me sjellje të këqija t’u hiqen tri paga.

“Me nenin 26 paragrafi c, d mendoj që po dënohet GP, po dënohet qytetari por jo deputeti. Nuk po me duket e logjikshme të dënohet dikush tjetër për sjelljen e pandërgjegjshme të deputetit. Unë propozoj që ndëshkimi të mos jetë 20 për qind, por të jetë deri në 3 paga”, ka thënë ai, transmeton EO.

Ndërsa, deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka thënë se sanksionimi bëhet me qëllimin që të shihet edhe si presion.

“Nuk është çështja vetëm e ndëshkimit të deputetit, por edhe entitetit politik të grupeve parlamentare, që i takon në kuptim të vështirësisë së vendimmarrjes sepse e implikon punën e tyre në komisione. Kjo shërben si presion”, ka thënë ai duke u dakorduar që të rritet në 20 për qind sanksionimi për deputetët.

Por, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se duhet të ketë çështje që mund të zbatohen.

“Unë kam dilemat e mija nëse dikush e dërgon në kushtetuese këtë. A është kushtetuese apo jo? Sepse mandati i deputetit është i lirë i përgjigjet vetëm qytetarit askujt tjetër. Ky kod etik nënkupton shumë në sjelljet morale të njerëzve, është bukur e ndjeshme”, ka thënë ai.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se pas miratimit të rregullores së punës së Kuvendit, miratimi  i kodit të sjelljes për deputetët e Republikës së Kosovës, pa dyshim është një akt i cili do të ndihmojë jo vetëm funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës por sipas tij,  do të krijojë obligime, sanksionime dhe do të themelojë një organ të ri i cili ka një rëndësi të jashtëzakonshme.

Është miratuar Shqyrtimi i Draft-Kodit të sjelljes së deputetëve të Republikës së Kosovës.