​Policia me masa të shtuara për protestën e veteranëve

Policia e Kosovës thotë se ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjes së protestës së lajmëruar për sot, sipas ligjit mbi tubimet publike nga veteranët e UÇK-së.

Zyrtarë nga Policia e Kosovës kanë zhvilluar të mërkurën një takim njoftues me përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së me qëllim të njoftimit rreth organizimit të protestës, vendit dhe kohës së mbajtjes së saj dhe masave tjera që lidhen me zhvillimin e protestës.

Policia e Kosovës thotë se njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive si e drejtë ligjore.

Lidhur me këtë lajmërim Policia e Kosovës thotë se ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik.

Policia paralajmëron se do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e protestës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore.

Sipas procedurave të parapara policia do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës. Policia bën thirrje që protesta të zhvillohet e qetë duke respektuar ligjet e vendit dhe që kërkesat të shpalosin në mënyrë demokratike e ligjore.