​Konjufca: Roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm për të ardhmen e Kosovës

Kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi sot se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm për të ardhmen e Kosovës, por edhe për paqen e stabilitetin në rajonin tonë dhe në botë.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me senatoren republikane nga Iowa, njëherësh veterane e ushtrisë amerikane, Joni Ernst, e cila shoqërohej nga këshilltari për Siguri Kombëtare, Pete McAleer, ambasadori Philip Kosnett, atasheu ushtarak i SHBA-së në Kosovë, kolonel Stephen Rose, dhe Amy Carnie, shefe e sektorit politik/ekonomik në Ambasadën amerikane.

Me këtë rast, Konjufca shprehu falënderime dhe konsideratë të lartë për kontributin e SHBA-së dhe të senatores Ernst, si përkrahëse e fuqishme e Kosovës, veçanërisht për transformimin e FSK-së në një forcë të mbrojtjes territoriale të ndërveprueshme.

Ndërsa, senatorja Ernst përgëzoi Konjufca për marrjen e detyrës së re dhe shprehu përkrahjen e pa rezervë të SHBA-së për Kosovën.

Ndryshe, senatorja republikane nga Iowa, Joni Ernst gjatë ditës është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.