LAJMI I FUNDIT

Zjarrfikësit protestojnë nesër para Qeverisë

Zjarrfikësit e Kosovës të enjten do të mbajnë protestë para objektit të Qeverisë së Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të tyre.

Përmes një reagimi, Sindikata thotë se zjarrfikësit janë në një situatë shumë të rëndë sa i përket organizimit, financimit dhe menaxhimit të shërbimit të zjarrfikjes dhe se kjo gjendje ka shkaktuar indinjatë.

Sindikata ka njoftuar se protesta do te mbahet nesër [e enjte] në ora 11:00 para objektit të Qeverisë dhe se e njëjta do të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshje të pranueshme.

Sipas Sindikatës së Zjarrfikësve, vendimi i Qeverisë që t’iu anulohet pagesa për rrezikshmëri në punë ka thelluar indinjatën e zjarrfikësve që kanë kërkuar protestë.

“Mosplotësimi i kërkesave te parashtruara me kohë, kërkesa te drejta dhe legjitime, të bazuara ne ligje dhe se fundi edhe vendimi qe zjarrfikësve te ju anulohet pagesa per rrezikshmëri ne punë, vendim i paanalizuar mirë dhe shumë probleme tjera rreth organizimit, statusi juridik ende i pa zgjidhur, mosdefinimi i kompetencave menaxhuese mes Komunave dhe MPB/AME, mosplanifikimi buxhetor për zjarrfikësa, kushtet e punës”, janë disa nga ankesat e zjarrfikësve.