Durim Abdullahu

Ushtria e Serbisë e kalbur nga nepotizmi

Shkruan: Durim Abdullahu

Së fundmi Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, i ka lëshuar disa deklarata plot shqetësim dhe i alarmuar për armatosjen e shpejtë dhe të madhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Konfirmimet zyrtare që Kosova ka kërkuar të blejë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës 246 raketa “Javelinë” në vlerë prej 75 milionë euro si dhe paralajmërimet se Kosova po blenë sisteme armatimi edhe nga Gjermania dhe shtete të tjera, e kanë vënë në panik presidentin serb Vuçiq.

Por si e ka gjendjen Vuçiqi me ushtrinë e vendit të tij, Serbisë?  

Ndërkohë që Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq po merret me ushtrinë e Kosovës, ushtria e Serbisë është e kalbur nga nepotizmi. Të paktën kështu raportojnë zëra kritikë në publikun e Serbisë, sikur analistja e ushtrisë Katarina Gjokiq dhe kështu raportojnë disa media në Beograd.     

Para katër muajsh, më 25 shtator 2023, një oficer serb me gradë togeri, ua dorëzoi eprorëve të tij letrën e dorëheqjes nga ushtria, në të cilën kishte shkruar: “Unë i kërkoj komandës eprore që ta ndërpresë kontratën time sa më parë të jetë e mundur. Gjysmën e jetës sime e kam kaluar duke bërë punë të kota. Nga pasuritë e mia gjatë tetë vitesh shërbim, fitova flokë të thinjura, ulçerë në stomak dhe një dërrasë për hekurosje rrobash. Mirupafshim!” 

Dërrasa e hekurosjes së rrobave të cilën e ka përmendur togeri serb i këmbësorisë, është një metaforë për vetë trupin e tij, si një dërrasë për hekurosje mbi të cilën eprorët e tij i derdhin keqtrajtimet e tyre çdo ditë. Pas tetë vitesh shërbim, togerët serbë e kryejnë periudhën e nevojshme të shërbimit si shpagim për shkollimin e financuar nga ushtria dhe më nuk i kanë borgj shtetit të tyre, andaj mund të largohen pa pasoja dhe obligime.

Këto lloj dorëheqjesh janë bërë aq të shpeshta në ushtrinë serbe, sa që gjuha në letrat e dorëheqjes ka shkuar duke u bërë çdo herë e më me humor, pasi që frika dhe respekti për hierarkinë brenda strukturave ushtarake ka rënë përtokë.  

Në disa shkrime të mediumit serb “Vreme” së fundmi, flitet për kalbjen e ushtrisë së Serbisë nga nepotizmi. Në to citohet analistja e ushtrisë Katarina Gjokiq, e cila ka thënë se të anketuarit mes ushtarëve serbë kishin treguar për financa të dobëta, zhgënjim të plotë, depresion dhe mungesë të shpresës. Sipas saj, ushtarët serbë janë të dëshpëruar pasi që janë të bindur që nepotizmi dhe përzgjedhja negative për gradim, janë të përhapura, nuk ka orar të punës, që urdhërat vijnë në minutën e fundit dhe ushtarët kalojnë më shumë kohë me fshesë në dorë se sa duke u stërvitur. Gjokiq ka thënë që ushtarët e Serbisë frikësohen se nëse e indinjojnë ndonjë epror, ai u hakmerret duke i transferuar dhe se ata ankohen për mungesë të pajisjeve dhe të kushteve të punës në zyre dhe në kontinjerë.

Katarina Gjokiq e ka shpjeguar edhe një lloj rrethi vicioz ku komandantët nuk duan të heqin dorë nga ushtarakët e mirë dhe punëtorë, sepse e dijnë që është e vështirë të zëvendësohen, andaj nuk i gradojnë që të mos lëvizin nga pozitat; ndërkohë që ushtarakët dembelë dhe të dobët gradohen për tu hequr qafe dhe kështu përmbysen rolet në personel, ku ushtarakët e zotë mbesin në grada dhe detyra më të ulëta, kurse ushtarakët e dobët ngriten në grada dhe detyrë. Gjithashtu, nëse e njihni apo keni lidhje     me dikë në Shtab të Përgjithshëm, një telefonatë mund ta ndryshojë fatin e ushtarit në minut të fundit.

Të gjitha këto e bëjnë dekurajuese punën e ushtarëve dhe të oficerëve të rinj në ushtrinë e Serbisë, e cila për më tepër vazhdon t’i vuajë pasojat e luftërave në Jugosllavi, ku kjo ushtri i ndezi dhe i humbi katër luftëra një pas një: në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Ushtria e Serbisë u bombardua për 78 ditë rresht nga avionët e 19 shteteve të NATO-s, nga 24 marsi deri më 10 qershor të vitit 1999. Disa nga gjeneralët dhe krerët e ushtrisë serbe kanë përfunduar të gjykuar me mijëra vite burgosje në Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve për ish-Jugosllavi. Nga ajo kohë, Serbia e ka trashëguar në ushtrinë e saj një gjeneratë të tërë oficerësh dhe ushtarësh të përfshirë në krime lufte dhe akte gjenocidale gjatë luftërave në Jugosllavi, duke përfshirë edhe krimet e kryera në Kosovë, në vitet 1998 dhe 1999. Shumë nga ta e dominojnë atmosferën në ushtrinë serbe, duke e fituar një lloj imuniteti brenda strukturave ushtarake dhe mbajtur detyra të larta drejtuese përkundër që përgjithësisht nuk i meritojnë ato.   

Kështu, teksa në Serbi është hapur debati për mundësinë e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, sot Vuçiqi bëri një vizitë dhe prezantim për media në Qendrën e Detyrave Operative në Agjensinë e Sigurisë Ushtarake, ku ai tha se prej aty monitorohet gjithçka që ndodhë në zonën e sigurisë përgjatë kufirit me Kosovën.

Kjo vizitë e Vuçiqit, qartazi erdhi si një përpjekje për ta inkurajuar ushtrinë serbe një ditë pasi vetë zyra e tij u deklarua e shqetësuar për faktin që Republika e Kosovës po blen sisteme raketore dhe sisteme të tjera të armatimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa shtete të tjera partnere për Kosovën. Gjatë vizitës, me tone të dëshpëruara Vuçiqi tha se Kosova e ka njërin prej buxheteve të luftës me rritjen më të madhe në botë.     

Me këtë deklaratë, ai e kishte fjalën për rritjen eksponenaciale të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes përkatësisht për FSK-në, nga Qeveria e Republikës së Kosovës gjatë dy viteve të fundit. Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës për vitin 2024, është vendosur të jetë 153 milionë euro. Gjatë kësaj kohe, investimet në armatosjen e FSK-së janë shtuar për 191 %, teksa Forca e Sigurisë së Kosovë ka hyrë në vitin e gjashtë të transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës.

Nëse deri tani në Serbi tundej parulla shoveniste “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, tani e tutje çdo ide e çmendur e këtij lloji, duhet llogaritur edhe në faktin që me ritme të përshpejtuara, Kosova po e ndërton një ushtri moderne me kapacitete të plota luftarake dhe sipas doktrinës së NATO-s, e trajnuar, e ndihmuar dhe e armatosur nga ushtritë partnere të ShBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Turqisë. Dhe Serbia e di mirë këtë!

BONUS VIDEO: Kosova po vazhdon të armatoset, në radhë janë anti-tankët e fuqishëm, Javelinët amerikanë