UEFA shkruan për Përfaqësuesen: Kosova: Dalja prej hijeve

Nga lënia mbrapa e një të kaluare të vështirë në të cilën është dashur të zhvillohet jashtë organeve drejtuese të futbollit, Kosova ka përjetuar një revolucion të vërtetë që prej pranimit si anëtare e UEFA-s më 2016.

Falë një periudhe të ngritjes së shpejtë dhe vlerës së lojtarëve të rinj të talentuar, Kosova mund të shohë përpara drejtë një të ardhme të ndritur, me suksesin e fundit në Ligën e Kombeve që i jep mundësi që të ëndërrojë kualifikimin në Euro 2020.

Një faqe e re e historisë së këtij vendi ballkanik është shkruar në shtatorin e vitit 2017 në brigjet e Finlandës. Në stadiumin “Hansa” në Turku, ekipi kombëtar i Kosovës po përgatitej që të zhvillonte ndeshjen e parë si pjesë e një gare – kualifikimet për Kupën e Botës 2018.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kishte udhëtuar atje dhe po shijonte shoqërimin nga legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri.

Për kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ishte një ditë e çmendur. Vetëm pak orë para vërshëllimës së parë, Kosova ende nuk e kishte ekipin e plotë.

“Po prisnim për lejen e FIFA-s për disa lojtarë që kanë qenë më parë pjesë e përfaqësueseve të vendeve tjera”, ka thënë Eroll Salihu, dikur pjesë e FK Prishtina dhe tash Sekretar i Përgjithshëm i FFK-së.

“Ne nuk i kishim as 11 lojtarë një ditë para takimit”.

Një nga një lojtarëve ju dha leja. Kur kishin mbetur edhe pesë orë, FIFA ju dha leje edhe gjashtë lojtarëve të tjerë dhe përzgjedhësi Albert Bunjaki përfundimisht kishte skuadrën e plotë. Aty filloi magjia.

Pas 60 minutave kur Finlanda apo kryesonte, Valon Berisha shënoi nga pika e bardhë golin e parë në një garë për vendin e tij. Ish përfaqësuesi i Norvegjisë e ka vënë Kosovën në hartën e futbollit.

Beteja e pranimit

Futbolli ka qenë pjesë e kulturës kombëtare në këtë vend të vogël të Ballkanit në 100 vjetët e fundit. Por lufta, rënia e ish Jugosllavisë dhe pastaj statusi i pazgjidhur detyroi futbollin kosovar që të zhvillohej nën hije deri në pavarësimin e plotë në shkurt të 2008-ës.


FFK kishte aplikuar për anëtarësim në UEFA dhe FIFA në verën e atij viti, por duhej pritur që të pranohej në familjen e futbollit ndërkombëtar. Jo të gjitha vendet e kishin njohur Kosovën si të pavarur dhe aplikimi i saj ishte refuzuar për shkak të statutit kontrovers të FIFA-s.

“Fadil Vokrri kishte luftuar për vite”, thekson nënkryetari i tanishëm të FFK-së, Predrag Joviq. “Ai kishte dëshmuar se vendi ynë e donte futbollin, që tifozët tanë ishin shembullor dhe se nuk kishte arsye që të pengoheshin mijëra kosovarë që të jetonin me pasionin e tyre për futbollin”.

Më 2014, FIFA i kishte dhënë leje Kosovës që të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare, por pa flamur dhe himn shtetëror – duke refuzuar që FFK-në ta pranonte përbrenda federatës.

Paskëtaj, në Kongresin e Zakonshëm të UEFA-s në Budapest më 3 maj 2016, retë u hoqën pasi që shumica e delegatëve të vendeve anëtare votuan në favor të pranimit të FFK-së në UEFA. FFK u bë anëtare e FIFA-s në Meksiko City dhjetë ditë më pas.

“Nga ky moment, gjithçka ndryshoi shumë shpejt dhe pozitivisht”, ka thënë Eroll Salihu.

“Na u mundësua të organizonim ligën tonë, të luanin në gara ndërkombëtare, shisnin të drejta televizive dhe të pranonim fonde nga UEFA dhe FIFA”.

Nevoja urgjente për stadiume

Kjo asistencë financiare ia mundësoi FFK-së që të merrej me një prej problemeve kryesore të saj: zhvillimin e infrastrukturës sportive.

“Është një prej mangësive të vendit tonë”, ka thënë Sanije Krasniqi, asistente e trajnerit në ekipin kombëtar të grave. “Për kohë të gjatë, disa klube kanë pasur vetëm një fushë për të gjitha ekipet, nga juniorët te Superliga”.

“Ka nevojë urgjente për më shumë fusha sportive në vend ku kërkesa për futboll po rritet dita-ditës.

“Më tepër e më tepër lojtarë po bashkohen me ekipet e reja për çdo vit. Kishim 150 lojtarë më 2014, por tash kemi më shumë se 300, ka thënë Arton Hajdari, drejtor i qendrës trajnuese dhe trajner i U19 në KF Ferronikeli, një klub historik me bazë në Drenas, diku rreth 20 kilometra prej perëndimit të Prishtinës.

“Na duhet që të ndërtojmë më shumë fusha në mënyrë që ta rehatojmë secilin.”.

FFK e mori mesazhin dhe që prej 2016-ës ka punuar në përmirësimin e situatës në shtatë rajonet e vendit.

“Gjërat kanë ndryshuar tepër shpejtë. Ndërtuam gjashtë fusha artificiale në 2018, përderisa gjashtë të tjera do të ndërtohen në të ardhmen”, ka thënë Joviq.

Lehtësirat për ekipin kombëtar do të rriten poashtu, derisa Ministria e Sportit ka aprovuar ndërtimin e stadiumit kombëtar, përafërsisht 20 kilometra nga Prishtina, i cili pritet që të hapet në dy-tre vjetët e ardhshme”.

“Kosova ndeshjet i zhvillon aktualisht në stadiumin “Fadil Vokrri” që zë rreth 13 mijë spektatorë, por që kërkesa për bileta është shumëfishë më e madhe. Stadiumi i ri do të zë më shumë tifozë dhe do të ketë më shumë të ardhura nga biletat”, ka thënë nënkryetari i FFK-së.

Stërvitjet dhe trajnerët

Në fund të fundit synimi i përmirësimit të programit është që të sigurojë fusha mjaftueshëm dhe lehtësia për t’ju mundësuar lojtarëve që të arrijnë potencialin maksimal.

Një pjesë tjetër e mozaikut është stafi kompetent i stërvitjeve. Kjo është përgjegjësi e drejtorit teknik të FFK-së, Michael Nees i cili ka ardhur në Kosovë si pjesë e programit ndërkombëtar për zhvillimin e sportit i drejtuar nga Ministria e Jashtme e Gjermanisë.

“Ne duam që të krijojmë një strukturë të qëndrueshme të trajnimit, me fjalë të tjera që ta zhvillojmë ekipet teknike që të shikojnë lojtarët e rinj të Kosovë për të ardhmen e afërt”, shpjegon trajneri, që poashtu ka punuar në Seychelles dhe Ruanda.

“Ishim mbrapa në shumë fusha. Nuk kishim programe të zhvillimit për trajner fituesi dhe as tash nuk kemi analistë”, ka thënë Nees “derisa ekipet e mëdha kanë dy ose tre. Por që ne po ecim hap pas hapi dhe tash po stërvitim ekipet teknike, sepse trajnerët janë çelësi.

Strategu gjerman ka hartuar oraret me anë të të cilave FFK me ndihmën e instruktorëve të UEFA-s, trajnon trajnerët në nivelin C, pastaj B dhe tutje nivelin A të licencimit, ku ka një plan ambicion të rritjes së numri të trajnerëve nga 120 në 500 deri më 2021.

Sanije Krasniqi punon shumë ngushtë me drejtorin e saj teknik. Para se të merrte rolin në akademinë e futbollit të FFK-së, ajo ka punuar ai mësuese dhe referuar në të gjitha kategoritë e futbollit për të rinj. Ajo është e vetëdijshme për potencialin e lojtarëve të tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës.

“Ne kemi shumë lojtar të talentuar”, ka thënë ajo “por varet nga trajnerët se sa do t’i ndihmojnë ata që të shkojnë sa më lart. Nëse ne e kryejmë punën tonë me përgjegjësi, e ardhmja do të jetë shumë e ndritshme”.

Ish gjyqtarja ka qenë gruaja e parë që ka gjykuar një ndeshje të Superligës së burrave në Kosovë.

“Në Kosovë 60 përqind e popullsisë është në 30 vjeç. Jemi vend i ri, por që është e vështirë pa staf profesional. Lojtarët e rinj janë në duar të sigurta deri në moshën 14 vjeçare, por kur ata arrijnë në adoleshencë atyre ju duhet trajnerë të aftë për t’i ndihmuar që t’i prekin nivelet e larta.

Kërkohet durim: farat e mbjella nga FFK tashmë po sjellin fryte në nivele të reja, ku ekipet kosovare janë duke i ngjitur shumë mirë në fazat ndërkombëtare.

“Në terma të progresit në dy vitet e fundit, ne jemi në mesin e ekipeve më të mira në botë”, është shprehur i kënaqur Michael Nees.

“Ekipi i U-21 është duke u paraqitur për herë të parë në kualifikimet për Evropian, i kanë bërë ballë Gjermanisë – kampionit të tanishëm të botës (0:0 në Prishtinë në shtatorin e kaluar). Ekipi i U-17, u kualifikua lehtë për raundin që mbahet në mars dhe U-19 poashtu ka qenë e shkëlqyer”.

Vajzat i përgjigjen thirrjes

Futbolli s’është vetëm për djem, natyrisht. Vajzat kosovare e duan futbollin aq shumë dhe zhvillimi i ndeshjeve të grave ka qenë një prej prioriteteve të FFK-së që prej kur është bërë anëtare e UEFA-s më 2016.

Para se të krijohen klubet, sidoqoftë, ka qenë kruciale që të bëhet e lehtë për ato që t’ju bashkohen atyre.

“Disa vajza jetojnë në fshatra dhe është shumë e vështirë për to që të luajnë sepse nuk e dinë me kë të flasin dhe si ta gjejnë një klub”, ka thënë Valbona Gashi, drejtoreshë e futbollit të grave në FFK, e cila ka punuar një program të gjerë për rekrutimin e vajzave nga mosha 9-12 vjeç.

Kjo iniciativë e përkrahur nga UEFA është burim i krenarisë madhështore të FFK-së.

“Kemi ftuar shkollat nga i gjithë vendi që të marrin pjesë në turne”, ka shpjeguar Gashi. “Secila shkollë ka pasur një ekip dhe fituesit janë kualifikuar në finale në kryeqytet. Trajnerët nga klubet kosovare kanë përcjellë ndeshjet dhe aty kanë qenë trajnerët e U-16 dhe U-19 për të parë lojtaret e talentuara”.

Një mijë vajza nga 99 shkolla nga i gjithë vendi kanë marrë pjesë aty, përfshirë disa që për herë të parë kanë dalë në një fushë.

“Ka qenë tejet emocionuese”, ka thënë Valbona Gashi, “sepse kam parë vajza teksa çanin kur humbnin ndeshjen. Ato ishin të përcaktuara për fitore. Disa prej tyre donin të luanin futboll dhe ëndërronin të luanin për klube, apo edhe ta përfaqësonin Kosovën një ditë”.

Në nivelin sendor, ekipi kombëtar i grave ka luajtur takimin e parë ndërkombëtar garues në vitin e kaluar, për kualifikimet për Kupën e Botës, 2019. Kampanja e vështirë nisi me një takim special kundër Shqipërisë.

“Ishte edhe e vështirë edhe emocionuese”, ka thënë Sanije Krasniqi. “Jemi rritur me flamurin e njëjtë, ndajmë të njëjtën histori. Shumica e futbollistëve të Shqipërisë ishin nga Kosova. Dhe ne prapë dëshironim që t’i mposhtnim!”.

Sikurse për ekipin e burrave edhe te gratë shumica e futbollistëve luajnë jashtë vendit. Është e natyrshme që duan të jenë afër familjeve, që ishin të shpërndara gjithandej Evropës gjatë periudhës së luftës.

“Kemi lidhje shumë të ngushta me diasporën tonë, edhe pse nuk kemi ndonjë ‘scouts’ apo zbulues talentesh”, ka thënë Krasniqi. “Ne zakonisht jemi në kontakte të rregullta me bashkëkombësit tanë të cilët janë të përfshirë në futbollin e huaj. Është shumë e lehtë tash edhe përmes internetit”.

Suksesi në Ligën e Kombeve

Me Valon Berishën, Benjamin Kolollin, Milot Rashicën dhe Enis Alushin, boshti i ekipit kombëtar të Kosovës është i ndërtuar nga futbollistë që kanë lindur dhe janë rritur jashtë. Për suksesin e tanishëm të ekipit meritor janë shumica e tyre, që kanë përvojën e niveleve të larta të futbollit në Evropë.

Nga kampanja e parë kualifikuese për Kupën e Botës i nxori ata në fund me vetëm një pikë në fund të grupit të vështirë. Por rekordi i Kosovës ka qenë impresiv, sidomos në ndeshjet miqësore dhe në Ligën e Kombeve, ku e kanë fituar grupin. Fakti se atyre iu mundësua që të luajnë ndeshjet në shtëpi në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ishte krucial.

“Paraprakisht ne ndeshjet i luanim në Shkodër të Shqipërisë, ku ishte shumë e vështirë për përkrahësit tanë që të shkonin atje. Zhvillimi i ndeshjeve në Prishtinë pas renovimit të stadiumit më 2017 ishte një shtysë reale për lojtarët dhe tifozët”, ka thënë Diturie Hoxha, drejtoreshë për komunikim në FFK.

“Të gjitha biletat për ndeshjen kundër Ishujve Faroe janë shitur brenda orësh. Kishte aq shumë njerëz jashtë zyrës së biletave te stadiumi, dukej diçka sikur protestë.

Ekipi i Bernard Challandes i pamposhtur në stadiumin “Fadil Vokrri” , tash është pa asnjë humbje në dhjetë ndeshje.

“Liga e Kombeve ishte një hap i madh që kishim përpara. Falë rezultatit, ne do të kemi dy mundësi për t’u kualifikuar në Euro 2020, që është objektivi ynë”, ka thënë i emocionuar Predrag Joviq. “Mendoj se do të përfundojmë të dytë prapa Anglisë në grupin tonë kualifikues, por edhe nëse nuk vazhdojmë tutje, ne do ta kemi mundësinë tjetër – të kualifikimit përmes fazës së play-off”.

Nuk ka limite për ambiciet e futbollistëve të Kosovës, FFK po e shtyn lojën hap pas hapi, e përkrahur nga trupa drejtuese dhe e udhëhequr nga pasioni i atyre që kanë kontribuuar në rritjen e futbollit në Kosovë, qoftë në federatë, ekip kombëtar apo në nivel klubesh.

“Kam qenë këtu për 18 vjet dhe nuk do të largohem derisa ta fitojmë Ligën e Kampionëve”, qesh teksa thotë kështu Isak Smajli, sekretar i përgjithshëm i KF Ferronikeli. Ai dhe miku i tij Elmiu nuk do ta harrojnë kurrë të kaluarën, por që ata e shohin futbollin si një mjet për shërbim dhe ecje përpara.

“Zona përreth Drenasit është e shkatërruar. Bombardimet e kanë shkatërruar rreth 80%. Gjithçka duhet të ngritet tullë pas tulle: shtëpitë, fushat e futbollit… Elmiu ka qenë aty çdo ditë për të rindërtuar klubin dhe falë tij dhe njerëzve si ai klubi ekziston edhe sot. Është diçka që ne krenohemi me të dhe që premton të ardhme më të ndritur për vendin tonë”.

Në Drenas, sikurse në mbarë Kosovën, futbolli është më shumë se një sport.