The Times: Si po ndodh shtypja e mediave në Serbi nga “Telekom Srbija” që ndikohet nga ish ministri i Millosheviqit

“Telekom Srbija” përdor të drejtat për të shfaqur ndeshjet e Premierligës angleze për një fushatë politike kundër mediave të pavarura dhe për të mbyllur gojën e opozitës, shkruan e përditshmja londineze The Times, duke iu referuar kundërshtarëve të qeverisë serbe.

“The Times” kujton se “Telekom Srbija”, në të cilin shteti ka pothuajse dy të tretat e pronësisë, bleu të drejtat ekskluzive për transmetimin e ndeshjeve të Premierligës në të gjithë Ballkanin Perëndimor për 100 milionë euro në sezon, që është rreth 10 herë më shumë se sa paguhej tri vite më parë. Kjo është më shumë se 100 milionë euro se sa është paguar për të drejtat e kombinuara në Gjermani, Austri dhe Zvicër. Politikanët serbë dhe mediat opozitare pretendojnë se nuk ka arsye ekonomike për këtë dhe se vendimi për të paguar kaq shumë është i motivuar politikisht.

Rivali i Telekom United Group, i cili kontrollohet nga pronari i Southampton Dragan Sholak, thotë se Telekom po përdor të drejtat e tij në Premier League për të detyruar United Group të dalë nga tregu, thekson Times dhe kujton se United Group është pronar i të vetmes media që nuk kontrollohet nga shteti. The Times thekson se Telekom shkel ligjet e Serbisë dhe Bashkimit Evropian në lidhje me konkurrencën dhe pronësinë në media. Aktivistët pohojnë se kjo është pjesë e përpjekjeve të autoriteteve për të eliminuar opozitën.

Shtrohet pyetja se sa me ndërgjegje e hetoi Premier League ofertën, e cila ishte dukshëm më shumë se vlera reale e tregut, shkruan Times dhe citon fjalët e Dragica Pilipoviq nga United Group, e cila pyeti: “A nuk ka parime të korporatës në Premierligë. Liga për marrëveshjet me personazhe të dyshimtë që kanë xhepa të thellë dhe pa moral?”.

“E vetmja gjë për të cilën shqetësohet Premier League është se herën tjetër nuk do të ketë konkurrencë sepse Telekom do ta shkatërrojë kompeticionin. Herën tjetër Telekom do të ofrojë shumë më pak para. Ky është i vetmi shqetësim i vërtetë, dhe deri atëherë Premier League nuk i intereson vërtet”, shtoi ajo.

The Times vë në dukje se Telekom njoftoi në tetor se do t’ia dorëzonte të drejtat shumë të vlefshme të futbollit anglez falas një kompanie private me lidhje të ngushta me Partinë Progresive Serbe në pushtet dhe presidentin autokratik Aleksandar Vuçiq. Ajo kompani më pas kërkoi honorare të mëdha nga United Group për transmetimin e kanaleve të saj. Kritikët thonë se ishte një përpjekje për të minuar United Group duke përdorur Premier League si një mjet politik.

“Asnjë transmetues në botë nuk ka paguar aq sa Telekomi për atë numër shikuesish në treg”, tha Pilipoviq dhe shtoi: “Nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer atë investim. Kanë paguar aq shumë sa nuk ka kuptim ekonomik, por ka kuptim të përsosur politik. Ideja është të na vrasin”.

Është një mjet për të tërhequr abonentë, por nuk bëhet për arsye biznesi apo ekonomike, tha Rasha Nedeljkov nga Crta, një organizatë që lufton kundër gjithçkaje që kërcënon demokracinë dhe mediat e lira në Serbi.

“Është thjesht politike. Ai po përdoret për të sulmuar United Group dhe median e tyre, e cila është e vetmja e pavarur”, shtoi ai. The Times e citon atë të ketë thënë se Telekom ka vite që bën fushatë për të përzënë United Group nga tregu sepse vetëm ajo kompani u jep zë atyre që flasin ndryshe nga mesazhet e censuruara mediatike.

“Telekom tani ka rreth 50 për qind të tregut mediatik dhe mënyra se si Telekom i përdor të drejtat e tij në Premier League është një pjesë shumë e rëndësishme e atij sulmi”, tha ai.

Përfitimi politik i kontrollit të medias është diçka që presidenti serb Vuçiq e ka vlerësuar prej kohësh. Si ministër i Informacionit në kohën e ish-presidentit Sllobodan Millosheviq, ai përcaktoi se çfarë informacioni do të arrinte në publikun në Serbi gjatë luftës së Kosovës në vitet 1990, kur regjimi i Millosheviqit kreu spastrim etnik të shqiptarëve, shkruan The Times.

Një organizatë mediatike llogariti se Vuçiq kaloi 50 orë në televizion nga dhjetori 2020 deri në prill 2021, nga të cilat 85 për qind ishte mbulim pozitiv. Serbia renditet e 93-ta në Indeksin e Lirisë së Medias në botë dhe pronësia shtetërore e Telekomit dhe kontrolli indirekt mbi mediat e tjera private është një nga arsyet kryesore për këtë renditje të dobët.