AKP

Punëtorë të AKP-së ankohen në Komision për pabarazi gjinore në vendin e punës

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Barazinë Gjinore, përfaqësuesja dhe nënshkruesja e peticionit të 23 punëtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Drita Gjonbalaj ka shprehur ankesat dhe pakënaqësitë lidhur me diskriminimin gjinor për emërimin e grave në pozita të larta menaxheriale.

Ajo tha së punëtorët që kanë nënshkruar peticionin janë të kërcënuar nga menaxhmenti i AKP-së, dhe si të tillë nuk kanë pasur guxim të vijnë në komision për të treguar pakënaqësitë.

Gjonbalaj, njëkohësisht zyrtare e prokurimit në AKP, tha se për vite me radhë gratë në këtë institucion janë diskriminuar në vendin e punës, duke mos marrë pozitat udhëheqëse të merituara.

Sipas saj, në këtë agjenci, pozita të larta drejtuese po marrin vetëm meshkujt.

Ajo kërkoi nga ky komision që ta detyrojë bordin drejtues të AKP-së për respektimin e ligjeve në fuqi për barazi gjinore.

Ndërkaq, anëtarë të këtij komisioni, theksuan se do ta shqyrtojnë ankesën dhe do të vazhdojnë diskutimet me bordin lidhur me këtë çështje.

“Punëtorët në AKP janë të kërcënuar nga menaxhmenti që të flasin të vërtetën, edhe pse kanë nënshkruar 23 persona peticionin, sot asnjë nga ato nuk morën guximin të vijnë vetë e të flasin në parlament…Qysh nga koha e AKM-së dhe në AKP, si institucion trashëgues i AKM-së, gratë kanë pozita shumë të ulëta. AKP është formuar me pavarësinë e Kosovës në shtetin e Kosovës, që është ndërtuar për të drejta të barabarta për burra dhe gra. Prandaj, konstatojmë se është bërë një diskriminim i madh ndaj grave në pozita të larta drejtuese. Me 24 shkurt 2020, avokati i popullit ka dërguar letër me rekomandimi, përfaqësuesit të AKP-së në lidhje me zbatimin e ligjit për barazi gjinore, përkitazi me kuotën gjinore minimale prej 50 për qind për secilën gjini në pozita drejtuese dhe vendimmarrëse në AKP. Më 31 gusht 2020, avokati i popullit mori përgjigje nga përfaqësuesi i AKP-së, përmes të cilës u informua se në të ardhmen në konkurset për pozitat e lira të punës, për nivele drejtuese dhe vendimmarrëse, do të merren parasysh rekomandimet për respektimin e kuotës së barabartë gjinore”, tha Gjonbalaj.

Para komisionit, Gjonbalaj tha se AKP ka bërë dhe po vazhdon të bëjë diskriminim profesional dhe gjinor të vazhdueshëm ndaj saj dhe sigurisht edhe ndaj personave të tjerë në baza gjinore.

Ajo tha se në konkursin e shpallur për dy zëvendësdrejtor menaxhues, ftohen vetëm personat e gjinisë mashkullore, ndërsa asaj i refuzohet aplikimi, me arsyetimin se nuk ka përvojë në pozita të larta drejtuese.

Gjonbalaj kërkoi nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Barazisë Gjinore ta detyrojë bordin dhe menaxhmentin e AKP-së t’i respektojnë ligjet në fuqi dhe të drejtat e njeriut, duke përfshirë ligjin për barazi gjinore, me kuotën gjinore minimale prej 50 për qind në pozitat drejtuese dhe vendimmarrës së AKP, rekomandimet e avokatit të popullit e të tjera.

“Tani në konkursin e shpallur për dy zëvendësdrejtor menaxhues, funksione mbështetëse dhe operative, kërkohet përvojë në pozitat menaxheriale dhe gjithashtu kufizohet që të aplikojnë vetëm personat me përvojë në pozita drejtuese…Pra, AKP ka bërë dhe po bën diskriminim profesional dhe gjinor të vazhdueshëm ndaj meje dhe sigurisht edhe ndaj personave të tjerë në baza gjinore…Në listën e ngushtë për të dy pozitat ftohen vetëm personat e gjinisë mashkullore dhe mua më refuzohet aplikacioni për arsye se unë nuk kam përvojë në pozitat e larta drejtuese…Si do të bëja përvojë menaxheriale, kur përgjegjësit e AKP-së që nga viti 2008 më kanë penguar duke më vendosur kurthe për avansim në detyrë…12:00 Kërkoj nga komisioni për të drejtat e njeriut dhe barazi gjinore ta detyrojë bordin dhe menaxhmentin e AKP-së t’i respektojnë ligjet në fuqi dhe të drejtat e njeriut, si ligjin për barazi gjinore, me kuotën gjinore minimale prej 50 për qind në pozitat drejtuese dhe vendimmarrës së AKP, rekomandimit e avokatit të popullit të datës 24 shkurt 2020 dhe vendimin e avokatit të popullit të datës 23 shtator të vitit 2020, ligji mbi për mbrojtjen nga diskriminimi gjinor”, potencoi Gjonbalaj.

Ndërkaq, lidhur me këtë çështje, nënkryetarja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Arjeta Fejza tha se do të vazhdojnë të merren me këtë peticion dhe do të diskutojnë tutje se cilët janë hapat që do të ndërmarrin në këtë drejtim.

“Në legjislacionin aktual në fuqi do të duhej të promovohej secila grua në secilin vend punës, do të duhej të promovohej edhe pozita për gratë, jo vetëm për burrat. Prandaj, në këtë drejtim konsideroj që të gjitha institucionet e kanë përgjegjësi që të promovojnë dhe të ndihmojnë, e të përkrahin gratë drejtë pozitave cilado qofshin ato, por veçanërisht nëse janë pozita të larta të cilat fatkeqësisht akoma shihen si pozicione, të cilat u takojnë vetëm burrave. Ne si komision do të vazhdojmë të merremi me këtë peticon, besoj që pas takimit me juve ne do të diskutojmë se cilët do të jenë hapat që do t’i ndërmarrim në këtë drejtim”, tha Fejza.

VIDEO BONUS: