Prania e ‘zvogëluar’ e njësive speciale në veri s’i kënaq ndërkombëtarët, kërkohet tërheqja e tyre nga “qendrat e popullatës”

Si hap i parë është “hap i mirë”, por “i pamjaftueshëm”. Përthyeshëm dhe në përgjithësi, ky ka qenë komenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë – për aq sa janë deklaruar – në lidhje me dakordësimin për zvogëlimin prej 25 për qind të pranisë së njësiteve speciale policore në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Qeveria e Kosovës, këtë reduktim, e quajti “gatishmëri” për të kontribuar në shtensionim të gjendjes në veri. Mirëpo, kjo gatishmëri, ende nuk është lexuar si e tillë nga aleatët e Kosovës. Çfarë po thonë përfundimisht ata?

Ditëve të fundit ishte i dërguari i posaçëm i qeverisë federale gjermane për rajonin, Manuel Sarrazin, i cili për më shumë se një muaj ka qenë edhe një nga më tonikët dhe eksplicitët në dënimin e kursit të ndjekur nga ekzekutivi kosovar për instalimin me forcë të tre kryetarëve të rinj shqiptarë legalë (jo legjitimë) në ndërtesat zyrtare komunale, i cili tha se kjo “nuk mjafton”.

Sarrazin, la të kuptojë se situata është ende larg të së qenit e shtensionuar dhe masat e para të ndërmarra rreth këtij shtensionimi janë larg asaj se çfarë në të vërtetë kërkon BE-ja. Jo më prani të njësive speciale në ato zona, tha ai, është ajo çfarë kërkon BE.

“BE i ka dhënë plan të qartë tre-pikësh që nënkupton jo më prani të njësive speciale në veri (të Kosovës) dhe afër ndërtesave komunaëe, dhe zvogëlimi i pranisë për 25 për qind është një hap drejt saj, por qartësisht nuk i përmbush kërkesat e BE-së”, ka thënë Sarrazin këtë të premte në një intervistë për RTS-në.

“Duhet t’i qetësojmë tensionet, kemi një situatë të rrezikshme, duhet ta pranoj që jam shpesh në Mitrovicë, edhe në Mitrovicën e Veriut, flas me shumë serbë, njerëzit janë duke vuajtur literalisht nga kjo situatë”.

“Situata duhet të qetësohet në mënyrë që njerëzit të kenë një jetë normale pa situata emergjente të përditshme, pa frikën se mund të ndodhë diçka çdo minutë. Ky është parakusht që ata të kthehen në tryezë, të fillojë dialogu dhe të formohet Asociacioni i Komunave Serbe”.

Edhe ambasadori britanik, Nicholas Abbott, duke folur ditëve të fundit në një intervistë për “KoSSeV” ka dhënë qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar sa i përket operimit të njësive speciale në Veri. Gjithmonë ka qenë qëndrimi i MB-së, tha ai, që njësitet speciale të operojnë në veri “por, ama, për çështje si luftimin i krimit dhe korrupsionit” dhe se në këtë rast po përdoren “si polici e rregulltë” gjë që, sipas tij, nuk është në rregull.

“Nuk ndërtohet ashtu besimi mes komuniteteve me kontroll policor mbi territor”, tha ai, “ani pse është qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar që njësitet speciale të mund të operojnë në veri”.

Andaj, shprehet ai, shqetësimi buron në atë se “njerëzit po reagojnë jo veç ndjeshmërisht, por edhe nga frika” dhe se “thuajse të gjithë janë të bindur se po mbrojnë veten në një mënyrë”.

“Më me rëndësi, njësitet speciale policore nuk kanë rol midis qendrës së popullatës. Nuk duhet të përdoren si polici e rregullt…Policia speciale kanë trajnim të veçantë që nuk mund të shërbejnë brenda ndërtesave. Në kuptimin e largimit të pikës së thyerjes, është tejet e rëndësishme që jo vetëm që këto njësi speciale të reduktohen por edhe në fakt të largohen nga qendrat e popullatës”, ka elaboruar ambasadori britanik.

Në lidhje me qëndrimin e kryeministrit të kosovar, Albin Kurti, se krejt çfarë po bëhet është asgjë me shumë se sundim i ligjit, Abbott ka dyshimet e tij. Sundimi i ligjit, sipas tij, i nevojiten polici, gjyqësor, prokurori; ndërsa shton se “nuk besoj se ata thjesht mund të vinë nga jugu i lumit Ibër”.

Duhet të ketë shtim të pranisë së EULEX-it, shtoi ai, e jo të njësive speciale policore.

“Ka një rol për KFOR-it, por KFOR-i s’është forcë poluicore; ka rol për EULEX-in dhe mbase është pak jo e sjellshme të thuhet kjo nga një ambasador britanik që duhet të shohim më shumë prani të EULEX-it. Por, mendoj se kjo është e nevojshme. Mendoj se kjo është një hapësirë ku natyra e të policuarit është shumë e rëndësishme”, ka thënë Nicholas Abbott.

Abbott shpjegoi edhe se vendi për nga vjen ka përvoja të gjata sa i përket vështirësisë së të policuarit duke e përmendur rastin e Irlandës Veriore.

“Shqetësimi im është specificiteti i çdo gjëje”, tha ai duke folur për dakordimin për reduktimin prej 25 përqind të pranisë së njësive speciale policore. “Duket sikur do të ketë një reduktim, por siç themi në në Angli ‘djalli fshihet në detaje’ – kush, ku, kur, mbi çfarë baze, ku do të shkojnë?”.

Duke vazhduar të flasë për situatën në veri, diplomati britantik vlerësoi se “ka nivel të lartë ndjeshmërie” dhe se “gjërat e vogla mund të kenë peshë të madhe”, shkruan Nacionale.

“Incidentet e vogla, keqkuptimet e vogla mund të shkaktojnë efekt më të madh, dhe kjo është ajo nga e cila në fakt kam frikë. Sepse nuk mund të kontrollosh gjithçka. Jo të gjithë aktorët janë të kontrolluar. Ekziston një element i rastësishëm kaotik në çdo situatë konflikti në çfarëdo niveli. Dhe kam frikë se jemi në atë hapësirë”, ka thënë ai.

Edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, në intervistën e tij të fundit dhënë për Klan Kosovën, kishte pasur brengat e tij sa i përket operimit të gjithkohshëm në veri me njësite speciale policore.

Duhet të ketë më pak njësi speciale, vlerësonte ai, ngase “kjo nuk është recetë për stabilitet”.

“Duam që njësitet speciale të mos jenë aty (brenda dhe në afërsi të komunave), sepse mendoj se prezenca aty po e krijon këtë atmosferë; dhe duam që demonstruesit të largohen”.

“Kryerja e çdoditshme e detyrave të policisë dhe dispozitat e sundimit të ligjit duhet të bëhen nga forcat e rregullta të rendit dhe ligjit. Kemi dëgjuar nga serbët etnikë në veri, se janë të shqetësuar me mënyrën e dërgimit të njësive speciale atje dhe ne e kemi këtë shqetësim. Besojmë se Qeveria e Kosovës do të përfitonte që të shihte se si e përdor policinë”, vazhdoi Hovenier.

“Kuptimi është, kur kam folur me me shoqërinë civile, serbët po frikësohen nga disa prej këtyre njësive speciale – dhe kjo nuk është recetë për stabilitet”.

Para disa ditësh, kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislim, njoftoi se nga takimi në nivel Kryenegociatorësh të mbajtur në Bratisllavë lajmëroi se janë pajtuar që “Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm për 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”.