Alicia Kearns

Kearns thotë se deklaratat tendencioze të Vuçiqit nuk duhet të injorohen

Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka thënë se tani është momenti ku përcaktohet nëse ëndrra për integrimin e Ballkani paqësor do të realizohet ose nëse “do të kthehemi në tmerrin e viteve 1990”. 

Të enjten në Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik me kërkesë të Kearnsit është mbajtur debat mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Kearns ka folur veçanërisht për sigurinë në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.  

Deputetja Kearns ka folur për sulmin terrorist në Banjskë, ka përmendur vrasjen e policit Afrim Bunjaku e sasinë e armëve të sekuestruara, të cilën e ka quajtur jashtëzakonisht të madhe. 

“Këto armë nuk janë tipike për një grup militantësh dhe kjo ngreh pyetjen: Kush po i mbështeste sulmuesit e Banjskës dhe pse? Përgjigja mund të jetë në videot të cilat u publikuan më pas. Treguan militantët që trajnoheshin në një bazë ushtarake serbe katër ditë para sulmit. Shumica e armëve kishin numra serikë të njëjtë me ato që posedon ushtria serbe. Kam kërkuar disa herë këtu që qeveria të lëshojë një vlerësim nëse shteti serb ofroi mbështetje strategjike dhe materiale për sulmin në Banjskë. SHBA-ja ka përfunduar një vlerësim se kush është përgjegjës, që e lidh me qeverinë serbe. Aleatët duhet urgjentisht ta lëshojnë sepse e vërteta ka rëndësi. Sepse pa atë raport e vërteta do të mohohet, sepse pa atë raport nuk do të ketë ndalim”, ka thënë Kearns. 

Ajo ka theksuar se mbajtja përgjegjës e atyre që u përfshinë në sulmin në Banjskë është e rëndësishme për të dekurajuar veprime të tilla në të ardhmen. 

Kearns ka përmendur edhe çështjen e votimit të kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriore. Ka kritikuar Bashkimin Evropian se nuk ka qenë e qartë në qëndrimin pro Kosovës edhe pse kjo e fundit ka përmbushur obligimet e saj. 

“Megjithatë këtë herë SHBA-ja ka qenë e qartë se Kosova ka përmbushur obligimet e saj demokratike. Fatkeqësisht BE-ja ka qenë më pak e qartë në mesazhin e saj duke insistuar që të dyja palët të angazhohen. A mundet ministri të konfirmojë se Britania njeh se Kosova ka provuar ta zgjidhë çështjen bazuar në Kushtetutë dhe se pavarësisht nga bojkoti i Listës Serbe kryetarët aktualë të komunave janë legjitimë pavarësisht etnisë së tyre”, është shprehur ajo.  

E, lidhja e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë çështje diskutimit, sipas Kearnsit. 

“Disa ndërkombëtarë kanë thënë se Kosova duhet të pranohet në KiE vetëm nëse krijon Asociacionin. Britania e Madhe duhet ta kundërshtojë këtë. Derisa unë nuk dua një tjetër Republikë Serbe në Ballkanin Perëndimor, një Asociacion do të themelohet si pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd. Por nuk duhet të nxitohet dhe nuk mund të vihet nën presion të jashtëm. Kështu që Britania do të votojë pro anëtarësimit të Kosovës pavarësisht progresit drejt Asociacionit dhe i inkurajon të gjithë aleatët ta bëjnë këtë”, është shprehur ajo. 

Ajo ka thënë se Britania duhet ta ketë një rol më aktiv në bisedime. 

Kearns ka deklaruar se duhet konsideruar një aleancë e re sigurie mes SHBA-së, Britanisë e shteteve të NATO-s me Kosovën, për të shuar shqetësimet për sigurinë. 

“Një shembull pse na duhet kjo. Vitin e kaluar presidenti Vuçiq deklaroi se duhet pritur momenti për marrjen e Kosovës. Kjo është deklaratë tendencioze, që nuk duhet të injorohet”, ka theksuar Kearns duke shtuar se ajo që mund të bëjë Britania tani është të votojë pro anëtarësimit në KiE dhe ta rrisë përkushtimin për siguri përmes KFOR-it.