Asociacioni

Serbia mbështet përpjekjet e Lajçakut për formimin e Asociacionit

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka theksuar se Beogradi vlerëson dhe mbështet shumë përpjekjet e bëra nga i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, për fillimin e procesit të formimit të Asociacionit.

Petkoviq të enjten në takimin që ka zhvilluar së bashku me ambasadorin e Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it, ka përcjellë mesazh të qartë nga Beogradi për domosdoshmërinë e formimit të Asociacionit, të cilin siç thotë ai, serbët në Kosovë e presin që 11 vjet.

Petkoviq dhe Gjuriq përsëritën qëndrimin e Beogradit se draftistatuti i Asociacionit i hartuar nga BE-ja siç është rënë dakord në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, mund të jetë bazë e mirë për vazhdimin e diskutimeve dhe marrëveshjen përfundimtare për të.

Petkoviq u ka thënë ambasadorëve se delegacioni i Beogradit ka pasur disa takime konstruktive vitin e kaluar për draftstatutin e Asociacionit me ekspertë të BE-së, “por që fatkeqësisht ato bisedime u ndalën në momentin kur kryeministri Albin Kurti, mori vendim të njëanshëm për ndalimin e dinarit në Kosovë”.

“Çdo progres substancial në dialogun lidhur me Asociacionin është i rëndësishëm për Beogradin, prandaj delegacioni serb, përveç draftstatutit të Ekipit Menaxhues, ka pranuar edhe draftstatutin e BE-së, në pjesën që ka të bëjë me hapat konkretë në formimin e Asociacionit pa e paragjykuar statusin. Për rrjedhojë, Beogradi shprehu gatishmërinë e plotë për të vazhduar ato diskutime për draftstatutin aty ku u ndërprenë në mënyrë të panevojshme, dhe pa asnjë faj të Beogradit”, thuhet në deklaratën e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë të enjten.

Lidhur me çështjen e dinarit, Petkoviq theksoi se bisedimet në Bruksel kanë qenë të vështira dhe se delegacioni nga Beogradi ka paraqitur propozimet dhe komentet “për zgjidhjen e krizës së shkaktuar nga vendimi i Prishtinës”, duke thënë se ky problem duhet të zgjidhet urgjentisht, “sepse vë në pikëpyetje mbijetesën fizike të popullit serb në Kosovë”.

Sipas Petkoviqit, Prishtina refuzoi formimin e Asociacionit për 11 vjet dhe se të gjitha problemet e krijuara burojnë nga ky fakt.

Petkoviqi ka thënë se serbëve në Kosovë po iu shkelen në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut.

“Dhe për të gjitha këto rezulton se autoritetet në Prishtinë fatkeqësisht janë shpërblyer me fillimin e procedurës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, që po ndodh pa asnjë procedurë të përcaktuar, prandaj duhet t’i rezistohet asaj padrejtësie në organizatën më të vjetër evropiane”, u shpreh Petkoviq, sipas deklaratës në Facebook.