Aleksander Soros

Miliardat e BE-së për Ballkanin, Aleks Soros i pashmangshëm në takime me liderë të rajonit

Pjesë e takimit të zyrtarëve të SHBA-së dhe BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup, pashmangshëm ishte edhe Aleksander Soros, i cili viziton krerët e Qeverive të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë etj.,  shpesh edhe në zyrat e tyre. Pjesëmarrjen e tij, në ngjarjen ku u fol për miliardat e BE-së të ndara për Ballkanin,  Aleksandar Soros e bëri publike në një postim në platformën X ku e publikoi një fotografi me kryeministrin maqedonas.

“Puzzle” e Bashkimit Evropian po konsiderohet jo e plotë pa rajonin e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë për ta shtyrë përpara një rajon të ndarë nga e kaluara dhe që vazhdon të përballet me probleme socio-ekonomike është parë e nevojshme që ta angazhohen disa prej shteteve më të fuqishme të BE-së.

Një prej iniciativave më të rëndësishme që është marrë nga një shtet anëtarë është Procesi i Berlinit. Qeveria Federale e Gjermanisë përmes kësaj nisme synon rritjen e ndërveprimit në mes të shteteve në të gjitha aspektet, përfshirë ekonominë, tregtinë, shkollimin e punësimin.

Prej vitesh janë arritur marrëveshje mes të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të kësaj nisme, megjithatë një prej pengesave kryesore ka qenë edhe mungesa e implementimit. 

Duke parë një çalim të tillë të Procesit të Berlinit dhe gjithashtu edhe mungesën e progresit në rrugën integrimit në BE, numri një i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic, dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut të asaj kohe, Zoran Zaev, kishin shpallur nismën “Ballkani i Hapur”.

Kjo iniciativë, bazuar në deklarimet zyrtare, ka gjetur përkrahje në Uashington, megjithatë BE-ja gjithmonë e ka parë me rezervë meqë i bënte konkurrencë Procesit të Berlinit, e ndërkohë Kosova që nga fillimi e ka kundërshtuar. Kjo më shumë për shkak të raporteve të Kurtit me secilin prej liderëve dhe për shkak të refuzimit të Serbisë për të pranuar Kosovën në tavolinë si shtet te barabartë.

BE ka arritur që përmes joshjes së Shqipërisë dhe kryeministrit Edi Rama, ta paralizojë në një farë forme Ballkanin e Hapur, megjithatë për nismën vazhdohet të flitet sa herë që ka takime rajonale në mes të shteteve.

Në gjithë këto nisma e takime, nuk mungon pothuajse asnjëherë Aleksander Soros, djali i filantropit amerikan, George Soros. Përveç takimeve, Alexander në mënyrë periodike viziton rajonin e takohet me liderët veç e veç. Ka miqësi me Kurtin, ndërkohë raport më të theksuar ka me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Megjithatë duket se gjithë angazhimi dhe prani e tij dhe takimet e shpeshta me liderë të rajonit ka një shpjegim.

Sipas një shkrimi të publikuar nga “Project Syndicate”, babai i Aleksander, George Soros, qysh pas përfundimit të luftës së Kosovës më 1999 kishte folur për atë se si duhet hapur Ballkani dhe se çfarë do të duhej të bëhej me rajonin dhe Kosovën që atë kohë sapo kishte dalë nga lufta.

Në fillim të shkrimit të tij autorial, miliarderi George Soros, kishte shkruar për dorëzimin e Sllobodan Millosheviqit si rezultat i bombardimeve të NATO-së. Soros atë kohë shkruante se si mund të merrej frymë më lehtë pas asaj ngjarje. Derisa thoshte se për të arsyetuar një ndërhyrje të tillë duhet siguruar një të ardhme më të mirë, jo vetëm për popullin e Kosovës por për të gjithë rajonin.

Soros kishte përmendur nevojën për ndërtimin e një vizioni pozitiv e konstruktiv, mbi bazën e të cilit është ndërtuar Bashkimi Evropian.

“Ne nuk mund të vazhdojmë të reagojmë ndaj krizave siç lindin në Ballkan, veçanërisht pasi veprimet tona mund të kenë pasoja kaq të rënda të padëshiruara dhe negative. Ne duhet të sjellim një vizion pozitiv, konstruktiv, vizionin që ka krijuar Bashkimin Evropian”, shkruante Soros në korrikun e vitit 1999, raporton Express.

 Soros thoshte se Ballkani nuk mund të rindërtohej mbi bazën e shteteve kombëtare, derisa rikujtonte se në çfarë mizorish ka çuar përpjekja për shtete etnikisht të pastra.

Qysh atëherë, Geroge Soros, thoshte se e ardhmja e këtij rajoni, është krijimi i një shoqërie ku zvogëlohet dominimi i shtetit dhe ku zvogëlohet rëndësia e kufijve, gjë e cila ka qenë një prej synimeve kryesore të “Ballkanit të Hapur”

 “Ne kemi parë se përpjekja për të vendosur homogjenitetin etnik mund të çojë në mizori të patolerueshme, vuajtje njerëzore dhe shkatërrim. Është gjithashtu jopraktike. Popullsia e Jugosllavisë, edhe pas përjashtimit të Kosovës, mbetet rreth 25% joserbe. E vetmja rrugë drejt paqes dhe prosperitetit është krijimi i një shoqërie të hapur në të cilën shteti luan një rol më pak dominues dhe kufijtë zvogëlohen për nga rëndësia. Kjo është rruga që ka zgjedhur Bashkimi Evropian”, thuhet tutje në tekstin e George Soros.

Në këtë shkrim, Soros theksonte se Doganat nuk janë vetëm për t’i ndarë vendet. Ai thoshte se aty është edhe një burim i fuqishëm korrupsioni, dhe se heqja e detyrimeve doganore, do të zvogëlonte aftësinë e qeverive për të ndërhyrë ne zhvillim ekonomik.

“…ata do të duhet të konkurrojnë për të tërhequr investime në territorin e tyre në vend që të paraqesin pengesa siç bëjnë aktualisht. Kontributi fillestar nga BE-ja do të shumëfishohej me investime private. Ky është faktori që e bëri Planin Marshall kaq të suksesshëm”, vazhdon Soros në shkrimin e tij.

VIDEO BONUS: Konferenca e Kurtit pas takimit në Shkup për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor