Migrimi po zbraz kullat e Kosovës

Varfëria, kushtet e vështira ekonomike, mungesa e shkollimit dhe perspektivës për rininë kanë zbrazur një pjesë të kullave shekullore të Junikut.

Komuna që dikur njihej si epiqendra e qeverisjes së Dukagjinit dhe malësisë së Gjakovës, sot përballet me probleme të migrimit të rinisë.

70 vjeçari Malë Tofaj, baba i katër fëmijëve, jeton vetëm me gruan në Junik, ndërsa katër fëmijët kanë marrë rrugën e mërgimit në vendet e Europës.

Ai thotë që nuk e kishte menduar kurrë që pas shumë sakrificave për t’i rritur katër fëmijë do të vazhdonte të jetonte vetëm me bashkëshorten në Kosovë.

“Tash jetojmë me krejt të mirat, por me vetmi nuk paguhen”, thotë Tofaj.

Ai rrëfen se familja jetonte në kushte jo të mira para se djali i madh të migronte. Kushtet ishin përmirësuar pasi djali i madh nisi punën në mërgim, ndërsa martesat e vajzave jashtë vendit bënë që edhe ato të migronin.

Me kushte të përmirësuara të jetesës pasi djali madh kishte migruar, familja arriti t’i mundësojë shkollimin djalit të dytë por edhe i ai, sipas Malës, duke ndjekur shembullin e vëllait dhe motrave, vendosi të marrë rrugën e mërgimit.

“Djalin e vogël drejtën me thanë nuk kam dashtë kurrë me qitë jashtë sepse jetonim ma mirë dhe i shkonte shkolla shumë. Por kur i pa vllaun e motrat qysh ata po jetojnë edhe ai shkoi”, thotë Mala.

Niveli i papunësisë në Kosovë llogaritet te 29% të njerëzve të aftë për punë. Të dhënat nga Agjencionit të Statistikave tregojnë se papunësia ulet por shifrat e ngadalshme të uljes nuk garantojnë shumë zhvillim për vendin.
Numri i të punësuarve në tremujorin e parë të vitit 2017 ishte 348 mijë persona, apo 28,9% e personave në moshë pune. Në periudhën e njëjtë të vitit 2018 numri i të punësuarve ishte 342 mijë, apo 28,8% e personave në moshë pune. Pra, në vitin 2018 ka pasur rreth 6 mijë persona më pak të punësuar.

Në vendin ku propabiliteti për të gjetur punë është i vogël, migrimi për në vendet e BE-së është njëra nga zgjidhjet

Sipas Agjensionit të Statistikave të Kosovës (ASK), vitin e kaluar 11,263 persona u larguan nga Kosova. Të dhënat zyrtare tregojnë se komunat më të prekura nga emigracioni janë Vushtrria me 1365, Gjilani me 1025 dhe Gjakova me 1365 emigrantë.
Kosova ka regjim të vizave me vendet e BE-së ndërsa procesi i liberalizimit të tyre vazhdon të varet nga zhvillimet politike brenda dhe jashtë Kosovës.

Trendi i ikjes ka përfshirë shumë të rinj që madje edhe liberalizimin e vizave e shohin si një mundësi të mirë për t’u larguar.

Adnan Berisha, 21 vjeçar nga Klina, student në vitin e tretë në Fakultetin e Sociologjisë, liberalizimin e sheh si një mundësi të mirë për të depërtuar në vende të tjera.

“Është për keqardhje por unë nuk shoh ndonjë mundësi që pasi t’i përfundoj studimet të bëhem zot i vetes, në Kosovë. Sidomos me drejtimin e sociologjisë që nuk vlerësohet shumë”, u shpreh Adnani.

Pothuajse të njëjtin mendim e ka edhe Arbër Shala, një tjetër student i cili këtë vit kishte vizituar Gjermaninë me vizë studentore. Arbëri thotë që mundësinë që ia ofroi Gjermania për disa muaj, nuk ja ofroi asnjëherë deri më tash Kosova.

Por, vendi, megjithë depresionin, ka shembuj pozitivë.

Afrim Sahiti është një i ri nga Prishtina që jetën nuk e ka varur te migrimi. Ai ka studiuar në Tiranë për Informatikë ndërsa tregu në zhvillim i teknologjisë informative i ka mundësuar atij të gjejë punë dhe të ketë shpresa për një jetë të mirë.

“Nëse kisha dalë jashtë Kosovës prapë, kisha shku atje veç për me kry ndonjë shkollë dhe pastaj ato njohuri i kisha përdorë në Kosovë”, thotë Shala. “Mirëpo kjo nuk do të thotë që kisha dashtë me jetu atje”.

Shembujt e Shalës mund të ndiqen edhe nga të rinj të tjerë ndërsa të dhënat tregojnë se migrimi ka nisur të ulet në vend nga viti 2015 kur mbi 70 mijë persona ishin regjistruar si migrantë nga Kosova për në vendet e BE-së.

Për Repubilikën e re, diaspora dhe migrimi janë një burim i rëndësishëm i zhvillimit.

Dashuria për vendin dhe familjen në Kosovë nga mërgimtarët sa vjen e rritet. Djersa e tyre e derdhur në vendet e Bashkimit Europian por edhe më gjerë po kthehet në “infuzion ekonomik’ për imunitetin e dobët të vendit.

Për nëntë muajt në Kosovë, dërgesat e mërgimtarëve kaluan gjysmë miliard euro apo saktësisht mbi 588 milionë euro.

Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve apo mbi 280 milionë euro në Kosovë erdhën përmes agjencive për transferimin e mjeteve që në dërgesën e përgjithshme bëjnë pjesë me 47.6 për qind. Përmes kanaleve tjera të dërgimit, në Kosovë erdhën 213 milionë euro me një pjesëmarrje prej 36.2 për qind dhe në një masë më të vogël vetëm rreth 95 milionë euro janë dërguar përmes Bankave me një pjesëmarrje prej 16.1 për qind./kallxo.com