Kurti shkoi te varri i Izetbegoviqit, por sonte tha se nuk e ka ndërmend të shkojë te varri i Rugovës

Albin Kurti nuk ua plotësojë dëshirat njerëzve të LDK-së dhe elektoratit të kësaj partie. Ai sonte e bëri të qartë se nuk e ka ndërmend të shkojë tek varri i liderit politik dhe shpirtëror të LDK-së, presidentit Ibrahim Rugova.

Kurti tha sonte se është takuar dy herë para luftës me Rugovën dhe se me të janë pajtuar për çështjen e çlirimit nga Serbia. Por, ai tregon se ka dalluar vetëm për mjetet që duhej të përdoreshin. Kurti kujton se atëherë ishte student.

“Jam takuar dy herë me Ibrahim Rugovën. Jemi pajtuar por nuk kemi pasur qëndrime të njëjta për mënyrën se si do të kundërshtonim. Atëherë isha student”, ka thënë Kurti.

Lideri i VV’së, i pyetur pse nuk shkon te varri i Rugovës, thotë se kjo kërkesë për të është nga ata që dëshirojnë ta largojnë partinë e tij prej LDK’së.

“Nuk e mohoj një gjë të tillë [kontributin e Rugovës]. Një lloj trysnie që vjen për ta ndarë VV’në me LDK’në e përdorin këtë [mosshkuarjen te varri]. Një kërkesë e tillë nuk është e sinqertë”, është shprehur Kurti.

Ai thotë se nuk e sheh të sinqertë as shkuarjen e disa të tjerëve te varri i Presidentin Rugova, shkruan Ballkani.info.

Mirëpo, Albin Kurti kishte shkuar të varri i ish presidentit boshnjak, Alija Izetbegoviq, për të cilin islamizimi i shoqërisë ishte më i rëndësishëm se Bosnja unike.

Sipas një shkrimi te publicistit dhe shkrimitarit të njohur kosovar, Enver Robelli, Alija Izetbegoviqi ka marrë mirënjohje – më 10 prill 1993 një nagradë nga Mbreti Fahd i Arabisë Saudite si «shërbëtor i islamit».

Postimi i plotë i Robellit:

NDOSHTA KJO ËSHTË NJË POROSI E DOBISHME PËR ALBIN KURTIN…

Domethënë problem i madh të shkosh te varri i presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i cili i ka paraprirë idesë për themelimin e Republikës. Por aspak problem të shkosh te varri i Alija Izetbegoviqit, për të cilin islamizimi i shoqërisë ishte më i rëndësishëm se Bosnja unike. Problem të shkosh te varri i Rugovës, i cili si intelektual properëndimor ka marrë mirënjohjet më të larta – doktor nderi në Paris, dekoratë në Spanjë, në Gjermani e gjetiu. Edhe Alija Izetbegoviqi ka marrë mirënjohje – më 10 prill 1993 një nagradë nga Mbreti Fahd i Arabisë Saudite si «shërbëtor i islamit». I njëjti, Alija Izetbegoviq, më 24 janar 1994 në Kuala Lumpur kërkonte para gazetarëve që bota të «bashkohet kundër forcave amerikane dhe cioniste të cilat bashkë me Kombet e Bashkuara duan të fshijnë myslimanët nga faqja e dheut dhe të zhdukin fenë islame». Dhe vazhdonte: «Kjo është luftë e Perëndimit kundër islamit». Shumë problem të shkosh te varri i Rugovës, por aspak problem të rrish gatitu para varrit të Izetbegoviqit. Në fund ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës që i përjashtuan europianët nga loja dhe e shpëtuan Bosnjën – ndonëse me plagë që kullojnë edhe sot. Por pa garancitë amerikane Bosnja nuk do të mbijetonte as 24 orë.