ramush haradinaj

Haradinaj: Nëse Kosova nuk anëtarësohet në KiE është përgjegjësi e Osmanit, Kurtit e Konjufcës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se tre udhëheqësit institucionalë – presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari – janë fajtorë nëse Kosova dështon të anëtarësohet në Këshill të Evropës.

Në një shkrim në Facebook, Haradinaj ka thënë se “mjerimi ka emër-udhëheqja e Kosovës”.
“Nëse humbet momentumi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e tre udhëheqësve institucionalë. Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari, me garancitë e dhëna përmes një letre të përbashkët, ku zotohen se Kosova do të përmbushë obligimet që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe tërheqja prej fjalës së dhënë, e shkruar e zezë mbi të bardhë, janë jo vetëm humbje, por edhe goditja më e rëndë që mund t’i bëhet Kosovës në planin ndërkombëtar”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka deklaruar se tre liderët e Kosovës e kanë humbur besimin dhe po e shndërrojnë Kosovën në vend të izoluar.

“Udhëheqja e Kosovës me veprimet e saj, përfundimisht e ka humbur besimin, ndërkaq Kosovën e ka shndërruar në një vend që po izolohet e po ndëshkohet përditë e më shumë. Në krejt këtë situatë shqetësuese, kur po shihet qartë se vendi nuk ka as udhëheqës e as zot shtëpie, Presidentja e vendit ka vendosur të hesht dhe të na bombardojë me pamje nga ajri, të pilotimit të një helikopteri! Po mjerimi ka zbritur në tokë dhe sot më shumë se asnjëherë e ka emrin, Udhëheqja e Kosovës!” ka vazhduar ai.

Javën e ardhshme pritet të mbahet mbledhja e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës e në të cilën deri tash nuk është në agjendë çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Kosova ka kaluar të gjitha fazat e tjera të anëtarësimit, ndërsa pas votimit në Asamblenë Parlamentare iu shtua edhe kushti i marrjes së hapave konkretë për Asociacionin. Qeveria e Kosovës ka refuzuar ta bëjë këtë si parakusht për anëtarësim.