Pak para orës 20:00, autoritetet kosovare mbyllën edhe degën kryesore të Bankës Postare Kursimtare në veri të Mitrovicës. Ata vendosën shirit të verdhë në derë dhe mbyllën derën e përparme.
Drejtori i kësaj banke ilegale që shpërndante dinarë, Igor Radiq, është dërguar në stacion për intervistim, transmeton Ballkani.info.
Procesi i largimit u shënua me një protestë të rreth 20 qytetarëve, kryesisht punonjës të kësaj banke, si dhe anëtarë të partisë Demokracisë Serbe, të cilët u mblodhën para këtij institucioni.
Ata kanë tentuar të pengojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që t’ua marrin drejtorin, ndërsa një pjesë e tyre kanë kërkuar garanci se ai nuk do të arrestohet.
Në fillim, pjesëtarët e njësiteve të rregullta të Policisë së Kosovës, me të cilët është larguar Radiq, u kanë folur me ton më të moderuar qytetarëve që të lirojnë hapësirën, që të kalojë edhe vetura e policisë me të cilën ka hyrë Radiqi.
Në një moment situata është përshkallëzuar dhe ka qenë në prag të një incidenti, më pas si përforcime kanë ardhur policët specialë.
Më pas para punëtorëve të mbledhur iu drejtua Aleksandar Arsenijeviq, lideri i Demokracisë Serbe, i cili u tha se ka marrë garanci se nuk do të ketë arrestime. /Ballkani.info/







