Gara publikon rrëfimin e rrallë: Si ishte ndërtuar shtëpia mbi varrezën masive në Rudnicë të Serbisë

Kushtrim Gara, zyrtar në Komisionin për të Pagjetur në kuadër të Qeverisë së Kosovës, ka publikuar një rrëfim të rrallë në rrjetin e tij social “Facebook”.

Ai ka treguar se si Serbia për ta fshehur varrezën masive me trupat e shqiptarëve të vrarë në luftë, e kishte ndërtuar një shtëpi dhe parking në Rudnicë.

“Krimin makabër dhe gjëmën e tokës e kishte shfaqur edhe qielli. Përdorimi i pamjeve satelitore ishte krucial në vitin 2013 në konfirmimin se ishim saktësisht në lokacionin e varrezës masive. Në një takim të mbajtur në Ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, mes dy delegacioneve me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ishte vendosur që me rrënimin e objektit të fillohet nga java e dytë e muajit Prill (2014)”, ka shkruar ai.

Rrëfimi i plotë pa ndërhyrje:

…Në luftë për të vërtetën dhe drejtësinë,

në luftë edhe me harresën…

Për të mos u harruar: 9 vite nga fillimi i rrënimit të objektit (shtëpisë) e parkingut të ndërtuar në lokacionin Gurorja në Rudnicë , për të mbajtur fshehur krimin gjenocidial.

Rasti i Rashkës, ishte kthyer në agendë në shkurt 2010 pas një pune intensive të institucioneve të shtetit të Kosovës (në veçanti Kryesuesit të Komisionit, në atë kohë, z. Gjetaj që më shumë qëndronte në Mitrovicë sesa në Prishtinë, për t’siguruar gjithë informatën e duhur nga ‘dëshmitari këmbgulës’ (deri në pikën që ‘më varrosni mua në atë lokacion nëse nuk konfirmohet varreza masive’).

Në maj 2010 edhe Prokuroria e Serbisë e kishte konfirmuar ekzistimin e varrezës masive në Rashkë, me 250 viktima.

Ndërsa në gusht 2010, zyrtarisht nga Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Akademik Prof Pajazit Nushi ishte iniciuar ‘Rasti i Masakrës së Rrezallës’ duke prezantuar në formë të kërkesës një dosje të përgatitur me shumë profesionalizëm nga Arsimtari Hamdi Aliu (nga Rrezalla), të cilën e kishim pranuar në maj 2010. Dosje me 42 fotografi, 42 histori tragjike, 42 emra e mbiemra te të vrarëve e të zhdukurve nga Rrezalla gjatë luftës në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, nga të cilët 36 viktima nga masakra e 5 Prillit 1999.

Rrënimi i objektit në javën e dytë të Prillit 2014 :

4 vite vonesa e përpjekje te të gjitha institucioneve serbe për të prolonguar zbulimin e varrezës masive , duke përfshirë edhe institutet profesionale që në testimet e mostrave të dheut kishin mohuar ekzistimin e mbetjeve organike në këtë lokacion.

Krimin makabër dhe gjëmën e tokës e kishte shfaqur edhe qielli. Përdorimi i pamjeve satelitore ishte krucial në vitin 2013 në konfirmimin se ishim saktësisht në lokacionin e varrezës masive.

Në një takim të mbajtur në Ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, mes dy delegacioneve me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ishte vendosur që me rrënimin e objektit të fillohet nga java e dytë e muajit Prill (2014).

Që objekti të rrënohej nuk kishte më asnjë dilemë, vonesat dhe loja politike serbe (në trekëndëshin Komision Qeveritar- Prokurori për Krime Lufte- Gjykatë) do të merrte fund, meqë më 13 dhjetor 2013 ishte konfirmuar ekzistimi i varrezës masive në këtë lokacion. dhe nga eshtrat (pjesët kockore të tërhequra nga lokacioni) përmes analizës së ADN-së kishin konfirmuar që viktimat ishin nga masakra e Rrezallës. Për koincidencë dy më të rinjtë e vrarë e të zhdukur nga masakra e Rrezallës (Përparim Hoti dhe Besim Rukolli, mosha e të cilëve ishte rreth 15vjec) ishin të parët të identifikuar nga eshtrat e hasura/ zhvarrosura në dhjetor 2013.

Pas rrënimit të objektit , ishte hapur rruga për punën profesionale në gërmimet vlerësues dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore që pas ekzaminimeve dhe identifikimeve përmes analizës së ADN-së kishin konfirmuar së bëhet fjalë për kufomat e 54viktimave (dhe jo 52 siç prezantohet gabimisht në shumë media), të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Një ekip i tërë profesionistësh (12 ekspertë e zyrtarë të Mjekësisë Ligjore) të Republikës së Kosovës që do të përcillni gërmimet e zhvarrimet (zyrtarisht vëzhgues), por mbi supet e të cilëve do të binte barra më e madhe, Komision e Delegacion i Republikës së Kosovës, të gjithë të angazhuar që familjeve t’iu lehtësohet barra e pritjes. Sfidat ishin të mëdha, problemet e shumta, paqartësitë evidente, por të gjitha i arsyetonte qëllimi fisnik , profesional e kombëtar.

Procesi i zhvarrimit , ekzaminimit e ribashkimit të eshtrave të shkapërderdhura , do të zgjaste Prill – 25 Qershor 2014 .

Procesi i plotë i identifikimit në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur do të merrte edhe pak kohë, duke u përdorur ADN-ja për t’i identifikuar të gjithë të vrarët e zhvarrosur nga kjo varrezë, për t’i ribashkuar familjet që vdekja i kishte ndarë, për t’iu mundësuar të mbijetuarve të përmbyllin kapitullin e ankthit të pritjes.

Masakra e Rrezallës, mbetet një nga krimet më makabër dhe gjenocodial i kryer nga ushtri Jugosllave gjatë luftës në Kosovë (përfshirja e ish Ushtrisë Jugosllave është e konfirmuar edhe me ‘shkresën e ish-Prokurorisë Publike të Qarkut të Mitrovicës, drejtuar Prokurorisë Ushtarake’ , që mban datën 26.04.1999, mbi bazën e të cilës , pas vrasjes e Masakrës më 5prill 1999, forcat serbe ishin kthyer në vendin e krimit për të rrëmbyer e zhdukur kufomat e 36 viktimave nga kjo masakër).

Nga 54 viktimat e zhvarrosura në Rudnicë të Rashkës:

29 viktima ishin nga masakra e Rrezallës;

20 viktima nga masakra e Cikatovës së Vjetër;

4 viktima nga Zabeli;

1 viktimë nga Gllanasella.

Rasti i Rashkës, në atë kohë por edhe sot, mbete rast i hapur , meqë nuk janë adresuar në kuptim të vlerësimit te gjitha lokacionet e shënjuara në këtë zonë.

Nga masakra e Rrezallës, përkundër zhvarrimeve dhe identifikimeve gjatë vitit 2014 , kishin mbetur edhe 7 persona (viktima) në listën e të zhdukurve. Vuajtja e familjeve vazhdonte.

(7 viktimat ishin zhvarrosur 6 vite më vonë nga varreza masive në Kizhevak, një lokacion tjetër në regjionin e Rashkës. Ne Kizhevak ishin zhvarrosur edhe pjeset kockore te dy individeve te zhvarrosur 6 vite me pare ne Rudnice, eshtrat e te cileve me ne fund do te ribashkoheshin pasi kishin qene te ndara ne dy varreza te ndryshme masive).

Asnjë i dënuar për krimin e shumëfishtë, vrasjen e masakrën , zhvarrosjen e groposjen, prolongimin e bllokimin e procesit të zhvarrimit e identifikimit.

Megjithatë, ne s’do të ndalim luftën tonë për të vërtetën dhe drejtësinë. Nuk duhet harruar asnjëherë gjenocidi serb ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

Siç shkruante Kadare shqiptarët nuk duhet të harrojnë në jetë të jetëve atë që u ndodhi , jo për të rënë në kurthin e urrejtjes shterpë, por për të çmuar e mbrojtur më mirë jetën dhe lirinë e tyre.

Është detyrë e jona t’i gjejmë më të dashurit tanë dhe amanet i brezave ta lartësojmë Lirinë.