Flet kryediplomatja e re e Kosovës, këto janë zotimet e saj

Ministrja e re e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, ka folur pasi që ka marrë detyrën e re në krye të dikasterit të diplomacisë.

Ajo me anë të një ka thënë se do të shërbej që të mbrojë interesat shtetërore të Kosovës, integritetin territorial dhe rendin kushtetues.

Siç është shprehur ajo, për të është nder të shërbej në këtë pozitë.

Postimi i plotë:

Prej sot po e nisim një rrugëtim të ri në Institucionet e Republikës së Kosovës, në detyrën e Ministres së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës.

Më shumë se një besim i shenjtë, është nder i jashtëzakonshëm për të shërbyer në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesit shtetëror, sovranitetit territorial, rendit kushtetues dhe vlerave të Republikës së Kosovës.

Do të angazhohemi pa ndalë në rindërtimin e urave të miqësive të Kosovës me botën, forcimin dhe ruajtjen e lidhjeve të forta e historike me SHBA-të,
fuqizimin e partneriteteve strategjike me të gjitha shtetet mike dhe rivendosjen e hallkave të shkëputura në marrëdhëniet e Kosovës me vendet e tjera të botës. Asnjëherë nuk do të pushojmë së ndërtuari aleancën e fortë të Kosovës me bashkëatdhetarët tanë kudo që janë.

Sot, bashkë me kolegët e kabinetit qeveritar nderuam Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, prej ku buron krenaria e vëtëbesimi shtetëror e kombëtar, dhe ku na ringjallet kujtesa e dhimbja jonë shekullore.

Jo rastësisht sot, bëra homazhe edhe te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Lybeniq të Pejës, 22 vite pas, prej kur forcat paramilitare serbe masakruan në mënyrë çnjerëzore shqiptarët e pafajshëm. Plagët dhe gjaku i derdhur i Kosovës është ende i freskët, dhe do të jetë gjithmonë udhërrëfyes për rrugën tonë përpara.

Si betim e zotim, do të punoj me devotshmëri e besnikëri në shërbim të Republikës së Kosovës dhe bashkëqytetarëve tanë!