Durim Jasharaj tregon si ndodhi sulmi në UP gjatë diskutimit për minatorët e Bulqizës VIDEO

Aktivisti Durim Jasharaj në “Express Intervistën” në KTV ka folur rreth përleshjes së djeshme në Fakultetin Filozofik derisa po mbahej një diskutim mbi lëvizjet sindikale për minatorët e Bulqizës.

“Kjo ka qenë një ligjëratë e organizuar nga Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës në bashkëpunim me Kolektivin për Mendim dhe Veprim Feminist e poashtu kanë qenë të përfshirë në organizim individ të pavarur të shoqërisë civile. Ideja ka qenë që të ftojmë profesorin dhe aktivistin e Organizatës Politike, Arlind Qorin, si dhe kryesindikalistin e Sindikatës së Pavarur të Bulqizës, Elton Debreshin, i cili tashmë është i përjashtuar nga Miniera e Bulqizës, me të filluar greva atje”, ka thënë Jasharaj.

ai ka shtuar se aty ishin mbledhur për të diskutuar mbi organizimin sindikal dhe për të drejtat e punëtorëve që po shkelen si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

“Ne kemi menduar se është e rëndësishme të diskutojmë edhe në nivelin teorik mbi lëvizjet sindikale, mbi sindikalizmin si mënyrë e rezistencës dhe organizimit të punëtorëve dhe poashtu të sjellim një përvojë praktike nga Shqipëria që ta kemi si pretekst për ta diskutuar. Pasi që të drejtat e punëtorëve, kushtet e tyre, janë sfidë e problem edhe në Kosovë. E duke marrë parasysh se pronari i Minierës është Saimir Mane, i cili ka edhe disa prona në Kosovë”, ka thënë ai.

Jasharaj insiston se nuk e kanë pritur një sulm të tillë, derisa tregoni se si ndodhi rasti.

“Incidenti ka ndodhur e që nuk e kemi pritur. Mbi dhjetë persona kanë hyrë brenda sallës dhe kanë filluar me sharje e ofendime, e kjo përshkallëzoi edhe te sulmi fizik. Ata thanë se kjo çfarë bëni ju është një propagandë, nuk është e vërtetë dhe e keni ndërmend me e pru komunizmin. Ata kishin ardhur për ta penguar, për ta intimiduar masën që ishte mbledhur aty. Dy prej tyre kemi arritur të identifikojnë, i kemi lajmëruar policinë dhe me sa duket ata ishin nga Shqipëria”, ka thënë ai.

Sipas tij mos respektimi i drejtave të punëtorëve dhe shtypja e sindikatës nuk është se i takon vetëm një organizate.

“Është e rëndësishme të diskutojmë për të drejtat e punëtorëve pasi të njëjtat probleme i kemi edhe ne. Jemi të informuar se minatorët e Bulqizës dhe Organizata Politike kanë pasur vështirësi të mëdha që të arrijnë te mediat, pasi kanë hasur në bllokadë totale. Ajo çfarë kemi dashur është që përveç që të jetë akt solidariteti është që të diskutojmë edhe këto probleme. Aty ku është frika aty mungon zëri, dhe ne mendojmë se ka shumë frikë që të flasin. Edhe të drejtat e punëtorëve, ka shumë punëtorë që të përjashtohen sistematikisht nga puna për shkak se kanë ngritur zërin”, ka thënë ai.

Jasharaj thotë se ata kanë filluar një fushatë të gjerë për të gjitha padrejtësitë që ndodhin në Minierën e Bulqizës, e që e kanë edhe mbështetjen e madhe të studentëve në Tiranë.

“Ne mendojmë se shtypja është shtypje, pa marrë parasysh se ku ndodh ajo. Minatorët kanë aleat të jashtëzakonshëm studentët në Tiranë, të cilët kanë pësuar dëme të mëdha për shkak të kësaj mbështetje që kanë ofruar, por nuk janë ndalur për t’i mbështetur minatorët. Ne jemi një organizim që kemi marrë vendim të organizojmë një ligjëratë. Po flasim për një grup njerëzish që për shkak të pushtetit të parasë kontrollojnë çdo pore të shoqërisë dhe të shtetit. Pushteti i Saimir Manes është aq i fortë sa që kontrollon edhe partitë në pushtet por edhe ato në opozitë. Në Kosovë kemi situatë tjetër, edhe ne kemi oligarkët tanë. Por, duket se Mane është figura më përshkruese e këtij grupi të njerëzve që ka rrënjët edhe në Kosovë”, ka thënë Jasharaj.

Ai thotë se organizimi ishte krejtësisht brenda rregullave, derisa shton se do të ketë edhe organizime të tjera.

“Ne kemi kërkuar leje nga organet e Fakultetit Filozofik, gjithçka ka qenë brenda rregullave. Por, ishte një akt banditesk i atij grupi. Universiteti është një hapësirë politike, dhe pres që studenti është politik dhe pres që ata të flasin edhe për instrumentalizimin e partive politike. Ajo çfarë ka ndodhur dje ka qenë gjëja më normale, dhe të organizosh një takim për të diskutuar mbi sindikalizmin e oligarkinë. Personat që kanë hyrë janë të porositur, por kjo punë i përket policisë. Besoj se në të ardhmen do të organizojmë edhe diskutime të tjera mbi çështje të ndryshme. Fakultetit Filozofik i takon të trajtojë çështje të ndryshme”, ka thënë ai.