Cedomir Stojkoviq

Avokati serb: “Panda” është një nga rastet më të tmerrshme që Serbia sajoi kundër shqiptarëve të Kosovës, por edhe ndaj serbëve

Avokati serb Cedomir Stojkoviq thotë se rasti “Panda” është një nga rastet më të tmerrshme që Serbia sajoi kundër shqiptarëve të Kosovës, por edhe ndaj serbëve.

“Është ai i një çerek shekulli më parë, i njohur si rasti Panda. Më 14 dhjetor 1998, Serbia vrau 6 të rinj serbë në Pejë, duke fajësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ai.

Vrasja e gjashtë të rinjve serbë ndodhi në një kohë kur tensionet ndëretnike në Kosovë ishin të larta.

Lufta mes forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës veçse kishte filluar.

Pikërisht në ditën e vrasjeve në “Panda”, disa pjesëtarë të UÇK-së u vranë në një pritë të forcave serbe, teksa bartnin armë nga Shqipëria.

Vrasjet në “Panda” u panë si një akt hakmarrjeje, çfarë çoi, pastaj, në bastisje e arrestime të shqiptarëve nëpër Pejë. Shënjestër ishte edhe Agron Kollçaku, atëkohë 26 vjeç.

“Zymtë ka qenë Peja, heshtje… Kur kam dëgjuar për atë rast, jam tronditur. Thashë fëmijë, çfarë kanë faj fëmijët…”, kujton Kollçaku, i cili edhe sot jeton jo larg lokalit ku dikur ishte “Panda”.

Vetëm dy ditë pas vrasjeve, atij i trokiti në derë policia për ta arrestuar si të dyshuar.

“Kam qenë në gjumë, se ora katër e mëngjesit ka qenë, veç kur kanë trokitur në derë. E kam hapur derën, kanë hyrë… Agron Kollçaku? U thashë po. E di, një polic i ka treguar kolegut të tij me ato radiolidhjet… ‘e zumë terroristin’. Kaq ka qenë. M’i kanë lidhur duart, më kanë marrë me vete”, rrëfen Kollçaku për Radion Evropa e Lirë.

Përveç tij, si të dyshuar për këtë rast u arrestuan edhe Gazmend Bajrami, Xhevdet Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj, Beqir Loxha dhe Behar Bajri.

Të gjithë u liruan 12 muaj më vonë nga gjykata në Beograd, në mungesë provash për përfshirjen e tyre në vrasje.

Kollçaku thotë se torturat që i përjetoi gjatë qëndrimit fillimisht në burgun e Pejës e më vonë edhe në Serbi, nuk do t’i harrojë kurrë.

“I sillnin [disa persona]… Nuk i njihja, nuk ishin gardianë të rregullt të burgut, por i sillnin me siguri nga rruga, nuk e di… Ishin të pashpirtë, të rrihnin deri në alivanosje. Më kujtohet, e patën lënë një bidon të madh me ujë… Të rrihnin, të fusnin aty, të kthjellonin dhe prapë i vazhdonin maltretimet”, kujton Kollçaku.

Thotë se as ai, as personat e tjerë që ishin arrestuar për këtë rast, nuk kanë marrë ndonjë kërkimfalje apo dëmshpërblim nga shteti serb.

“Pse? Pyetem pse. Edhe sot pyes pse. Pa kurrfarë lidhjeje, pa kurrfarë… nuk e di”, shprehet ai.