padi

Kadri Veseli e paditë për shpifje deputetin e VV-së, avokati i tij del me njoftim

Kundër deputetit të Vetvendosjes, Visar Korenica, është depozituar këto ditë një padi për shpifje. Si përfaqësues ligjor i ish Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, shkruan Ballkani.info.

Përfaqësuesi ligjor, avokati Faton Fetahu, ka njoftuar se ka dorëzuar padi për shpifje kundër deputetit Korenica, i cili në muajin mars, në një deklaratë për një media online në Kosovë kishte përmendur z.Veseli se “kishte ndikuar në një projekt në Administratën Tatimore të Kosovës”.

Fetahu ka sqaruar në një postim në Facebook, se i kanë dhënë rast deputetit Korenica përmirësimin e shprehjes shpifëse, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Pas deklaratës publike me përmbajte shpifëse ndaj z. Veseli, sipas ligjit në fuqi, deputetit i kërkuam përmirësimin e shprehjes shpifëse, përkatësisht tërheqjen nga deklarata. Kaluan gjashtë javë dhe deputeti e injoroi kërkesën duke e zgjedhur heshtjen.Pra, ai e artikuloi këtë shpifje, u sigurua ta publikonte dhe ta shpërndante në medie një deklaratë të tillë të pavërtetë, por nuk e provoi asnjëherë me asnjë fakt të vetëm. Në këto rrethana, rruga gjyqësore mbeti e paalternativë”, ka shkruar Fetahu./ballkani.info